Unioni doganor Shqipëri-Kosovë përpara atij Ballkanik – Në 27 nëntor finalizohet bashkimi i portit të Durrësit

Sipërmarrjet që operojnë në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Kosovë së shpejti do të mund të përfitojnë nga lehtësimet doganore mes dy vendeve. Vizioni i paraqitur në takimin inaugural të komisionit për organizimin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, ishte për bashkimin doganor së pari mes dy vendeve, i cili më pas mund të merret për shembull për Unionin Doganor Ballkanik.
“Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë të jenë modeli që i paraprin me shembullin e vet krijimit të zonës ekonomike rajonale.
Marrëdhëniet tregtare në rajon u kushtojnë sipërmarrjeve të rajonit, 3800 vjet pritje në vit nëpër dogana. Dhe brenda këtyre 3800 vjetëve pritje në vit të kalkuluara nga Banka Botërore, janë dhjetëra në mos qindra vite pritje të sipërmarrjeve shqiptare që duan të lëvizin nga kjo anë apo nga ajo anë, për këtej, apo për andej”, tha kryeministri Edi Rama.
Po për sa i përket doganave, kryeministri i Shqipërisë u shpreh se procesi i Bashkimit Doganor në Portin e Durrësit do të finalizohet në mbledhjen e 27 Nëntorit, ndërsa Ministrat e Financave të dy vendeve kanë marrë udhëzimet e veçanta.
“Porti i Durrësit nuk është vetëm porti i Shqipërisë zyrtare, është edhe porti i shqiptarëve të Kosovës. Është porti që duhet të kthehet në doganë e njehsuar e Shqipërisë dhe e Kosovës. Është e padrejtë, është e pandershme dhe mbi të gjitha është e pajustifikueshme që sipërmarrjet shqiptare që çojnë mall në Kosovë përmes portit të Durrësit të kontrollohen dy herë”, shtoi kryeministri shqiptar.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.