Unioni i tregjeve të kapitalit – Zyrtarët e BE bien dakord për rikthimin e tregut të borxhit të titullizuar

Zyrtarët e Bashkimit Europian ranë dakord mbi rregulla të reja për të ringjallur tregun e borxhit të titullizuar, që është njollosur nga kriza financiare, në përpjekje për të ndërtuar një treg më të gjerë europian të kapitalit.
Blloku ra dakord për një formë të “thjeshtë, transparente dhe të standardizuar”, të titullizimit, që janë aktive si kreditë për shtëpi që transformohen në letra me vlerë të tregtueshme.
Bankat janë të inkurajuara për të ofruar borxhin e titullizuar për shkak se nuk duhet të mbajnë shumë kapital për të mbuluar rrezikun e këtyre aktiveve. Sektori i titullizimit në Europë u tkurr pasi produkte të tilla (CDO) të bazuara në kredi për shtëpi me cilësi të dobët në SHBA, u kthyen në burimin e krizës financiare të 2008-ës.
Rregullat e reja janë më strikte mbi cilësinë e aktiveve që mund të titullizohen dhe paraqesin mbikëqyrje shumë më të ashpër nga rregullatorët. “Ky është një propozim themelor për të ndërtuar një sistem financiar që përmirëson financimin drejt ekonomisë reale”, tha zv/Presidenti i Komisionit Europian Valdis Dombrovskis.
Komisioni e propozoi ligjin fillimisht në Shtator 2015, por u penga nga argumentet se duhet ringjallur apo jo një treg që detyroi taksapaguesit për të shpëtuar bankat.
“Kjo tregon se ne kemi nxjerrë mësime nga kriza ekonomike dhe po i afrohemi objektivit për një union të tregjeve të kapitali”, thonë anëtarë të Parlamentit Europian.
Komisioni e pa fillimisht unionin e tregut të kapitalit si një mënyrë për të diversifikuar burimet e financimit dhe eliminuar barrierat përtej kufijve të investimit, gjë që zhbllokon kapital që mund të kanalizohet drejt kompanive dhe projekteve të infrastrukturës.
Largimi i Britanisë në 2019, që është tregu financiar më i madh i bllokut, ka bërë që Komisioni ta rimendojë këtë projekt si një alternativë ndaj qendrës financiare të Londrës (City).
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.