Uplift Albania Tv Show – Scan finalizon transmetimin e reality Show ekskluziv (VIDEO)
Radio Televizioni SCAN ka finalizuar këtë të shtunë transmetimin e reality Show-ut eksluziv Uplift Albania Tv Show. Finalja e Madhe përmblodhi të gjitha sfidat, emocionet, surprizat dhe arritjet e programit të akselerimit Uplift Albania, i cili u soll për herë të parë në Shqipëri nga ICTSlab, laboratorit të inovacionit, edukimit dhe sipërmarrjes, si një program në mbështetje të ekosistemit të startup-eve dhe inovacionit.
Sipari i Finales së Madhe u hap me përshëndetjen e të gjithë të ftuarve specialë dhe mbështetësve të programit. Credins Bank është një nga sponsorat kryesorë të Uplift Albania, e si një bankë me në fokus inovacionin, përkrahu dhe ndoqi nga afër të gjitha zhvillimet e Uplift Albania, të cilat u shtrinë në më shumë se 6 javë.
Finalja e Madhe e Uplift Albania Tv Show u mbyll me shpalljen e fituesit të edicionit të parë të Uplift Albania, Ipervox, një startup aktiv në fushën softuer për aplikimet e zërit, themeluar nga dy të rinj me origjinë shqiptare.
Po ashtu, pjesa e fundit nxori në pah edhe disa nga arritjet e startup-eve që shkuan në finalen e madhe të programit të akselerimit, ku Ipervox, GameOn, PlexusVr apo iAvokat kanë marrë dhjetëra investime nga investitorë engjëj dhe po vazhdojnë angazhimin intensiv për zhvillimin e startup-eve.
SCAN, televizioni i vetëm për ekonomi në Shqipëri, solli në vëmendje Uplift Albania duke i dhënë prioritet zhvillimi të ekonomisë vendase, teknologjisë dhe inovacionit dhe do të vazhdojë misionin e tij me projekte të reja së shpejti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.