Uria e shqiptarëve për megabyte – Trafiku i të dhënave u rrit me 12.8%. Zëvendëson telefonatat dhe mesazhet
Përdoruesit e internetit në celular në Shqipëri rritën mesatarisht konsumin me 400 MB gjatë tre muajve të fundit të vitit 2017, krahasuar me periudhën Korrik-Shtator. Në këtë mënyrë, konsumi mujor individual për 2 milionë përdoruesit e rrjeteve 3G/4G, arriti në 2.29 GB në muaj, një vlerë që një vit më parë ishte vetëm 1.65 GB.
Rritja justifikohet kryesisht me përfshirjen e përdorimit e të dhënave falas ose bonus për lundrimin në rrjetet sociale në paketat e operatorëve të telekomunikacionit, rritjen e aksesit të popullatës në aparatë celularë të aftë të lundrojnë në internet dhe shtimin e popullaritetit të rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të tjera mes shqiptarëve.
Në rang vendi, trafiku i të dhënave për periudhën Tetor-Dhjetor 2017, arriti në 13.97 milionë Gbyte, një rritje prej 12.8% krahasuar me tremujorin paraardhës, si dhe një rritje me 67.2% nga viti në vit.
Nga rritja e konsumit të të dhënave, përfituesi kryesor duket se ka qenë operatori Telekom Albania, që ka shtuar përdoruesit e rrjeteve 3G/4G me 33.4% nga viti në vit. Ndjek pas tij Albtelecom me një rritje prej 21.9% dhe Vodafone Albania me 11.8%, ndërkohë që për këta dy operatorë diferenca mes tremujorëve është negative.
Rritja e përdorimit dhe shpejtësisë së internetit në aparatet celularë ka sjellë një efekt negativ në dërgimin e mesazheve SMS dhe kryerjen e telefonatave.
Konsumi mesatar i minutave në muaj për përdorues zbriti nga 171 minuta në fund të 2016-ës, në vetëm 150 minuta në fund të 2017. Rënia është e ndjeshme edhe tek SMS-të, të cilat kanë zbritur nga 40 mesazhe në muaj, në vetëm 34.
Në total, ky trend i preferimit të komunikimit përmes internet ka sjellë rënien e telefonatave nga 7.3 miliardë në 2015, në vetëm 6.6 milardë gjatë vitit të kaluar.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.