Ushqimi në shkolla, hapet tenderi për shërbimin katering – Ja shkollat që përfshihen dhe menuja e detajuar

Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve Tiranë ka hapur tenderin për ofrimin e shërbimit katering të ushqimit nëpër shkolla. Kjo vjen në funksion të projektit “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe parashikon një fond limit prej 27.5 milionë lekësh, shumë e cila do të ofrohet nga Bashkia e Tiranës.
Projekti pilot për ofrimin e shërbimit katering përfshin 3 shkolla 9-vjeçare, konkretisht shkollën “Ardian Klosi” me 322 nxënës, shkollën “Hasan Tahsini” me 750 nxënës dhe shkollën e Kuqe me 915 nxënës. Fëmijët pas procesit mësimor do konsumojnë ushqimin, do zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas do rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë. Projekti mundëson që fëmijët e shkollave periferike, në komunitete me popullsi rome, egjiptiane, pra komunitete që janë në vështirësi ekonomike, të vazhdojnë të rrinë në mësim, në grupe speciale, t’u ofrohet edhe dreka në shkollë.
Për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi do financohet 100% nga Bashkia Tiranë. Projekti do të shtrihet fillimisht në këto shkolla 9-vjeçare me synimin që në varësi të suksesit të tij, të mund të shtrihet edhe në shkolla të tjera në kryeqytet.
Ndërkohë, kohëzgjatja e kontratës parashikohet të jetë që nga momenti i nënshkrimit të saj me përfundim pas 104 ditësh mësimore. Lidhur me gramaturat e ushqimeve që do t’u shërbehen fëmijëve, edhe në këtë projekt do të zbatohen gramaturat që përfshin edhe projekti “Programi i kujdesit pas shkolle”, miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë, është konceptuar një menu dyjavore e detajuar e cila do të zbatohet në këto shkolla.
Shërbimi që duhet të ofrojë operatori privat që do të kontraktohet përfshin përgatitjen dhe gatimin e ushqimit sipas kërkesave, gramaturave dhe përbërësve të përcaktuar në menunë e miratuar nga MSH, paketimin sipas menusë së ushqimit në racione individuale, transportin e dhe servirjen e ushqimit të gatuar sipas orareve të përcaktuara.
Operatorët ekonomikë do të kenë mundësi që të dorëzojnë kërkesat e tyre deri më 21 shkurt 2018 pranë Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.