Ushtarakët e FA-ve, tabelat me shtesat në pagë për disa kategori. Përfitimet sipas kualifikimeve, pagat për kursantët

Publikohen tabelat me pagat e reja dhe shtesat në pagë për ushtarakët e Forcave të Armatosura. Në Fletoren Zyrtare janë detajuar edhe shtesat që përfitohen për vjetërsi në punë apo për kualifikimet shtesë për ushtarakët.
Konkretisht nga ky vendim, që i shtrin efektet nga data 1 Mars 2017, do të përftojnë ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura: oficerë, nënoficerë aktivë dhe ushtarë aktivë, si dhe kursantët, kandidatët për ushtar.
“Ushtarakët aktivë të personelit akademik, të punësuar me kohë të plotë në Akademinë e Forcave të Armatosura, të cilët trajtohen në pagë përfitojnë shtesë për vjetërsi në punë, në masën 0,5 % për çdo vit pune, por jo më shumë se 15 vjet. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura përfitojnë shtesë mbi pagë për kushte të veçanta pune e shërbimi. Pozicionet në funksione operacionale, operacionale mbështetëse dhe mbështetëse, për të cilat zbatohet kjo shtesë në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, përcaktohen në urdhrin e Kryeministrit për miratimin e strukturës e të organikës së kësaj agjencie. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, të cilët punojnë në vende të vështira pune, përfitojnë shtesë mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin, sipas këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ushtarakët, funksioni i të cilëve përmban dy apo më shumë emërtime që përfitojnë shtesë për punë të vështirë e të dëmshme në shëndet, të trajtohen vetëm me një shtesë sipas kësaj lidhjeje. Ushtarakët aktivë në Njësinë e Mjekësisë Ushtarake, pranë Spitalit Universitar të Traumës, në pozicionet “Drejtor”, “Zëvendësdrejtor”, “Shef shërbimi” apo “Shef reparti”, të përfitojnë shtesë për punë të vështirë e të dëmshme në shëndet, sipas specialitetit dhe jo sipas pozicionit”, thuhet në vendim
Shtesat sipas kualifikimeve
Oficerët aktivë të Forcave të Armatosura, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura, pjesë të strukturave të TIK dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i Shkencave/Master Profesional /Bachelor” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri elektronike”, “Inxhinieri informatike”, “Informatikë”, “Teknologji informacioni”, “Inxhinieri telekomunikacioni”, “Shkenca Kompjuterike”, “Informatikë ekonomike” apo “Inxhinieri matematike informatike”, përfitojnë shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën 7 500 (shtatë mijë e pesëqind) lekë në muaj.
Zbatimi i shtesave si më sipër për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe të Ministrisë së Financave, bazuar në përshkrimin e pozicionit të punës.
Në rast se për pozicionet e sipërpërmendura parashikohen shtesa të tjera për kushte të veçanta pune e shërbimi, oficerët aktivë do të zgjedhin ndërmjet dy shtesave, por, në asnjë rast, nuk mund t’i përfitojnë të dyja shtesat.
Kursantët
Kursantët, kandidatë për ushtar, gjatë kohës që ndjekin kurset për t’u certifikuar ushtar, përfitojnë trajtim me pagesë, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.
Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagë, të përcaktuara me vendime të tjera të Këshillit të Ministrave.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.