“Ustai i qytetit tim”, Klosi: Regjistrimi në Dhomën e Zejeve, taksim zero
Bizneset e zejtarisë që do të regjistrohen në Dhomën Kombëtare të Zejeve, do të përfitojnë jo vetëm taksim zero, por edhe mbrojtje të prodhimit të tyre. Në Lushnje, ku u zgjodh anëtari i Asamblesë Kombëtare të Zejtarisë për këtë qytet, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, deklaroi se ngritja e Dhomës së Zejeve, dhe ligji i zejtarisë do të mbrojë prodhimin shqiptar.
“Prodhimit vendas artizanal do ti kthehet traditës, duke rritur mbrojtjen e prodhimit të zejeve. Kjo do të mundësojë jo vetëm ruajtjen e traditës por shtimin e qindra vendeve të reja të punës. Në tregjet shqiptare, tani do të zbatohet ligji i zejeve që e mbron prodhimin artizanal vendas nga ai i importit. Zejtarët e riregjistruar në Dhomën Kombëtare të zejeve do të kenë taksim zero, për dy vitet e para të regjistrimit të tyre”, tha Klosi.
Sipas Klosit, të gjitha këto përpjekje kanë vetëm një qëllim: rritjen e punësimit dhe mirëqenies së familjeve shqiptare. Nga ana e tij, kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi, u shpreh se nëse këto përpjekje do të ishin bërë vite më parë, sot bizneset nuk do të ndjenin mungesën e profesionistëve në sipërmarrjet e tyre.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.