Vaksina e AstraZeneca, në pikëpyetje. Regjimi më efektiv i dozave erdhi prej një gabimi në manifakturë
AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, ish garuesit kryesor të vaksinës, përballen me pyetje mbi rezultatin e provës, pasi pranuan një gabim në manifakturë. Ndërkohë që kompania britanike lajmëroi më herët gjatë javës se injeksioni ka një efektshmëri mesatare prej 70%, detajet e pakta të publikuara kanë ngritur dyshime nëse do miratohet nga rregullatorët. Në një deklaratë më vonë, Universiteti i Oksfordit bëri të ditur se një ndryshim në procesin e manifakturës ka bërë që disa pjesëmarrës të marrin gjysmë doze në vend të një doze të plotë.
AstraZeneca dhe Oksfordi kanë thënë se vaksina është 90% efektive kur jepet një gjysmë doze, përpara një vaksine suplementare në dozë të plotë dhe se të dy dozat e plota patën efektshmëri në 62%. Megjithatë, programi i vaksinës në SHBA, theksoi se doza që pati nivel më të lartë të efektshmërisë u testua në popullsinë në moshë më të re dhe gjysma e dozës është dhënë tek njerëzit për shkak të një gabimi në sasinë e vaksinës të vendosur në kapsulë. Zëdhënës të AstraZeneca deklaruan se provat janë ndërmarrë në standardet më të larta të sigurisë dhe po ndërmerren më shumë analiza për të përmirësuar treguesin e efektshmërisë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.