“Vaksina po përdoret si një mjet diplomatik” – Ministri i jashtëm britanik, Raab kritikon vendet si Kina dhe Rusia
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, deklaroi se nuk ka dyshime që disa vende po e përdorim vaksinën si një mjet diplomatik për të siguruar më shumë influencë dhe sipas tij Britania nuk e mbështet të ashtuquajturën, “diplomaci të vaksinës”. Në një intervistë për Reuters, Raab shprehu shqetësimin se Kina dhe Rusia mund ta përdorin vaksinën në këmbim të influencës në disa pjesë të botës.
Duke folur në samitin e G7-ës, Raab deklaroi se beteja kundër pandemisë është një “përpjekje në ekip” dhe kërkoi pjesëmarrjen e Kinës dhe Rusisë në këtë përpjekje. Kina aktualisht ka dy vaksina të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa vaksina e zhvilluar nga Rusia pret aprovimin. Në këtë linjë, kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi se G7 do të dhurojë 1 miliardë doza të vaksinës kundër Covid-19, kryesisht për vendet e varfra. Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të dhurojnë 500 milionë doza të vaksinës. Ministri Raab deklaroi se kontributi i Britanisë do të kryet në masën 80% nëpërmjet mekanizmit Covax.
Gjithashtu, gjatë intervistës së tij për Reuters, ministri i jashtëm britanik kritikoi Rusinë si një mbështetëse kryesore e sulmeve kibernetike dhe i bëri thirrje G7-ës që të mbajë një qëndrim të bashkuar, kundër incidenteve të tilla.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.