Vakte të gatshme që ruhen në rafte – Amazon teston teknologjinë që nuk ka nevojë për frigorifer

Amazon po eksploron një teknologji të krijuar fillimisht për ushtrinë amerikane, e cila mund të prodhojë vakte të shijshme të parapërgatitura, që nuk kanë nevojë për t’u ruajtur në frigorifer.
Është kjo mënyra që kompania gjigande e shitjeve online ka zgjedhur për t’u futur në tregun e ushqimeve e fruta-perimeve.
Kompania synon të nisë që vitin e ardhshëm shitjen e pjatave si çomlek me mish viçi apo omletë me perime.
Këto vakte do të ishin të lehta për t’u magazinuar dhe transportuar pasi nuk kanë nevojë për ngrirje dhe mund të ofrohen shumë lirë krahasuar me ushqimet e restoranteve.
Teknologjia pioniere, e njohur si sterilizim termik i asistuar me mikravalë, ose MATS, është zhvilluar nga kërkuesit e Universitetit të Uashingtonit dhe ka ardhur në treg nga një startup i bazuar në Denver, ‘915 Labs’.
Sipas këtij startupi, metoda funksionon duke vendosur ushqimet e paketuara në ujë me presion dhe më pas duke i ngrohur në mikrovalë për disa minuta.
Ndryshe nga metodat tradicionale të procesimit, ku paketimet duhet të rrinë në tenxhere me presion për një orë derisa bakteret të jenë larguar, e së bashku me to edhe ushqyesit, këto vakte ruajnë shijen e tyre natyrale.
Ato mund të rrinë gjithashtu në rafte deri në një vit, çka i bën të përshtatshme për modelin e ruajtjes dhe shpërndarjes që Amazon ofron.
Sakaq kompania që po shet teknologjinë është e zënë duke bashkëpunuar me kuzhinierë të ndryshëm, për të krijuar sa më shumë lloje pjatash të përshtatshme.
Amazon do ta testojë teknologjinë me disa konsumatorë, përpara se të investojë në shkallë të gjerë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.