“Vala e dytë” – Cilat vende të rajonit dhe Evropës po mbyllin shkollat?
Pikat e errëta që tregojnë zonat e infektimit të lartë të koronavirusit po ngjyrosin hartat e Evropës, ndërsa qeveritë përpëliten për të parandaluar një raund tjetër bllokimesh totale, madje edhe duke marrë vendime jopopullore për të mbyllur shkollat, baret dhe palestrat.
Vendet evropiane, madje edhe rajone brenda vendeve, po zbatojnë strategji në mënyrë drastike të kundërta. Në një zonë, baret konsiderohen si terren për shumimin e virusit, ndërsa në një vend tjetër, shkollat konsiderohen “kazanët viral”. Ja disa nga masat që kanë marrë vende të ndryshme në Evropë si rrjedhojë e rritjes së të infektuarve:
Republika Çeke vendosi të mbyllë shkollat në 14 Tetor për të ulur një normë të akumuluar prej 521 rastesh për 100,000 banorë gjatë 14 ditëve, niveli më i lartë kombëtar në Evropë. “Ju kërkoj falje drejtorëve të shkollës. Ju kërkoj falje prindërve për pasigurinë e përhershme. Por është e nevojshme ta bëjmë këtë dhe ta bëjmë shpejt”, tha Ministri Çek i Arsimit Robert Plaga.
Irlanda e Veriut gjithashtu u përqendrua tek arsimi duke futur kufizimet më të forta COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën, duke mbyllur shkollat për dy javë dhe pub-et dhe restorantet për një muaj.
Në rajonin spanjoll të Granadës, autoritetet urdhëruan të gjitha klasat universitare të zhvilloheshin 100% në internet ndërsa linin baret dhe restorantet e paprekura. “Jam shumë i pikëlluar që baret janë më të rëndësishme se arsimi universitar,” tha Pilar Aranda, dekani i Universitetit të Granadës për gazetën El País. “Ata i lënë baret hapur dhe mbyllin klasat, seminaret, laboratorët dhe bibliotekat.”
Në Rusi, zyrtarët e Moskës u kanë bërë thirrje të moshuarve që të izolojnë vetveten dhe kanë zgjatur pushimet e shkollës me një javë. Studentët në kryeqytet nga klasat e 6-ta në 11-të tani do të zhvillojnë studimet e tyre në internet për dy javë.
Në shtator, shqetësime u ngritën pasi shkollat dhe universitetet përbënin pothuajse një të tretën e rasteve të reja të koronavirusit në kontinent, sipas Shëndetit Publik Francë. Ky shqetësim vazhdon dhe tani për Francën dhe Gjermaninë, të cilat kanë kaluar klasat universitare 100% online.
Sa i përket rajonit, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, dhe Rumania gjithashtu po zhvillojnë një balancim midis mësimit online për klasat e sipërme dhe mësimit fizik për fëmijët e vegjël.
D.B – SCAN
Burimi: UNESCO – Covid-19 impact on education
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.