Valutat më të mira në recesione – JPMorgan: Duhen mbajtur; jeni, franga, dollari i Singaporit dhe ai amerikan
Franga zvicerane, dollari i Singaporit, dollari amerikan dhe jeni japonez, janë valutat që duhen mbajtur nëse afron rreziku i një recesioni në SHBA apo në botë, sipas bankës JPMorgan.“Gjatë recesionit, kreditorët kërkojnë paratë e tyre mbrapsht. Valutat më të mira për të mbajtur gjatë kësaj periudhe janë të atyre vendeve që kanë pozicione të jashtme tejet të forta”, deklaron banka. Jeni është valuta më e lirë për t’u mbrojtur nga recesioni, ndërsa dollari i Singaporit vjen i fundit nga këto të katërta.
Dollari amerikan sjell përfitime për shkak se është valuta kryesore e financimit në botë dhe vendet duhet të blejnë mbrapsht dollar kur bankat dhe kompanitë tkurrin kreditin gjatë recesionit. JPMorgan bëri të ditur se rreziku i recesionit aktualisht është i ekzagjeruar, megjithatë gjykoi se është e rëndësishme të ndërmerren plane emergjente, për shkak të përshpejtimit të luftës tregtare. Valutat e tregjeve në zhvillim janë humbësit më të mëdhenj, pasi janë zhvlerësuar mesatarisht me 17% në periudhën 2 vjeçare përpara recesionit.
Dollari i Zelandës së Re është performuesi më i keq gjatë kësaj periudhe, sipas bankës. JPMorgan morri në studim performancën e valutave në 5 recesionet e fundit. Ndërkohë që jeni japonez ka pasur një performancë jo shumë impresionuse se 3 valutat e tjera të sugjeruara, këtë herë, kursi real efektiv i këmbimit është 23% poshtë mesatares 40 vjeçare. Përpara 3 recesioneve të kaluara, ishte i mbivlerësuar me 8%. Kjo, sipas bankës, nënkupton se valuta japoneze duhet të formojë një pjesë kritike të mbrojtjes ndaj recesionit. Paralelisht, JPMorgan bëri të ditur se dollari pritet të vazhdojë fuqizimin kundër euros.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.