Varianti i ri i Covid prek Zvicrën – Mbyllen shkollat, restorantet dhe hotelet për të frenuar infeksionet
Autoritetet shëndetësore karantinuan të hënën dy hotele dhe mbyllën shkollat e skive në vendpushimin luksoz zviceran të Shën Moritz në përpjekje për të frenuar një shpërthim të variantit të ri shumë infektiv të koronavirusit.
Kantoni lindor zviceran i Grisons urdhëroi të gjithë të mbanin maska në qytetin me 5,200 banorë, që krenohet si vendlindja e sporteve moderne dimërore. Testimi masiv i banorëve do të zhvillohet të Martën. Shkollat dhe vendet e kujdesit ditor janë të mbyllura.
“Rreth një duzinë rastesh njihen aktualisht në dy hotele. Për të mbrojtur shëndetin e popullatës dhe turistëve, departamenti i shëndetësisë ka vendosur në karantinë dy hotelet dhe ka urdhëruar teste për korona për punonjësit dhe mysafirët e tyre,” tha kantoni në një deklaratë.
Ai nuk pranoi të emërojë hotelet dhe tha se supozonte se të huaj ishin në mesin e mysafirëve, por nuk u dha kombësitë e tyre.
Kantoni tha se autoritetet kishin identifikuar mutacionin e virusit N501Y, i cili është raportuar në variantet e identifikuara së pari në Britani dhe Afrikën e Jugut. Kantoni nuk tha menjëherë nëse varianti besohej se kishte ardhur nga Britania apo Afrika e Jugut.
Ndërsa mbylli restorantet, baret, teatrot dhe vendet rekreative për të kufizuar përhapjen e sëmundjes, Zvicra ka lënë qendrat e skive të hapur për sa kohë që ato mbajnë masa si mbajtja e maskave për të mbrojtur shëndetin publik. Zonat e skive në St Moritz mbeten të hapura, gjithashtu, pas shpërthimit të variantit. (Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.