Varreza murale në Sharrë – Nis projekti pilot, rikonstruktohen rrugët

Mungesa e hapësirave në varrezat e kryeqytetit, ka bërë që Tirana të jetë qyteti i parë parë në vend që ka nisur zbatimin e projektit pilot për varrezat murale.
Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e varrezave të para murale për 438 vende të reja, por njëkohësisht ka nisur punën për rehabilitimin tërësor të varrezave të Sharrës dhe rindërtimin e rrugës kryesore dhe rrugicave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në Sharrë.
“Po fillojmë një projekt të ri në varrezat e Sharrës, e cila ka qenë një problematikë të mbartur ndër vite. Madje, gjatë administratës së shkuar kemi patur disa raste çnjerëzore, ku njerëzit janë varrosur edhe në gjurmën e rrugës dhe rrugicave sepse nuk ka patur hapësirë. Nuk është aspak dinjitoze që në qytet të moes gjendej hapësirë për të sistemuar ata që nuk jetojnë më banesën e tyre të fundit”, u shpreh ai.
Veliaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve të cilët kanë zënë hapësirat publike me ndërtime pa leje që t’i lirojnë ato vullnetarisht. Ndërsa, projekti i varrezave murale do të pilotohet fillimisht me zhvendosjen e varreve të ushtarëve të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të vijuar me varrezat mbi 40-vjeçare.
“Do t’u kërkoj me shumë dashamirësi të gjithë atyre që kanë zaptuar hapësirë në varreza, t’i lirojnë ato përpara se të vijnë fadromat e bashkisë. Në momentin që vijnë fadromat e bashkisë, nuk do të falet askush që ka zënë një centimetër tokë publike nga varrezat publike të prindërve dhe të gjyshërve tanë në Sharrë. Ndaj, kërkoj bashkëpunimin e të gjithëve për të liruar hapësirat”, tha Veliaj.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për lidhjen e varrezave të Sharrës me rrugët ekzistuese. Të gjitha segmentet do të pajisen me ndriçim rrugor dhe me rrjet kanalizimi.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.