Vazhdojnë protestat e dhunshme në Hollandë – Banorët kundërshtojnë masat e karantinës, si pasojë e rasteve rekord

Pesë policë janë plagosur në Hollandë dhe të paktën 40 persona janë arrestuar në 3 provinca, ndërkohë që protestat e dhunshme kundër masave të Covid-19, vazhduan për 2 netë me radhë, drejt ditës së Diel. Autoritetet holandeze përdorën ujë me presion, qenë dhe trupa të policisë për të ndaluar protestat e të rinjëve, që i vunë flakën ambienteve publike dhe hodhën fishekzjarre, në trazirat më të këqija publike që prej karantinës së plotë në muajin Janar. Përplasjet e fundit nisën ditën e Premte në Rotterdam, ku policia qëlloi ndaj një turme që u fry në qindra persona, gjatë një proteste që kryebashkiaku e quajti si dhunë të jashtëzakonshme.
Tre persona mendohet se janë qëlluar nga plumba të policisë dhe ndodhen në Spital, sipas autoriteteve. Protestat nisën në kundërshti të planeve qeveritare për të kufizuar përdorimin e pasaportës shëndetësore vetëm tek njerëzit që janë shëruar apo vaksinuar ndaj Covid, duke përjashtuar ata që tregojnë test negativ. Hollanda rivendosi disa masa të karantinës ndaj popullsië prej 17.5 milionë në fundjavën e kaluar, në përpjekje për të ngadalësuar rritjen e rasteve.
Megjithatë, infeksionet ditore kanë qëndruar në nivelet më të larta që kur nisi pandemia. Europa është kthyer së fundmi në epiqendrën botërore të pandemisë. Austria ka aplikuar gjithashtu një karantinë të plotë, për të frenuar rritjen e rasteve, ç’ka solli protesta të ngjashme kundër planit të qeverisë. Protestat nisën në sheshin Heldenplatz në Vienë, që u organizuan nga partia e djathtë ekstreme, e treta më e madhe në parlament.
Klevis Llaha /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.