Vazhdon kursimi i shqiptarëve në pandemi – Rriten lehtë depozitat gjatë nëntorit, vetëm në valutë. Bien lehtë në lekë
Depozitat në sistemin bankar shqiptar kanë vijuar rritjen edhe përgjatë muajit nëntor të këtij viti, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë, paçka se me ritme mjaft të ngadalta. Totali i depozitave në lekë dhe valutë ka prekur kështu shifrën e 1.278 trilionë lekëve, nga 1.277 trilionë lekëve që ishte në muajin tetor. Sa i përket depozitave në lekë, vihet re një rënie minimale, nga rreth 632.4 mld lekë gjatë tetorit, në rreth 632 mld lekë gjatë nëntorit.
Sa i përket depozitave në valutë ndërkohë, vihet re një rritje, çka ka nxitur edhe tendencën e përgjithshme. Depozitat në valutë kanë prekur shifrën e 646.1 mld lekëve, nga rreth 645.1 mld lekë që ishin në muajin tetor. Në valutë, shifra e nëntorit është e dyta më e lartë që prej muajit mars, kur prekej edhe rekordi historik, ndërkohë që në lek, qëndrojnë shumë pranë rekordit historik të prekur në muajin tetor. Shifrat më të fundit konfirmojnë kështu tendencën e shqiptarëve për të kursyer gjatë pandemisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.