Vdekje rekord nga Covid në Brazil. Bolsonaro nënvlerëson situatën, por thotë se ka siguruar mjaftueshëm vaksina
Pas dy ditëve radhazi të vdekjeve rekord nga Covid-19 në Brazil, Presidenti Jair Bolsonaro i tha popullit se ka siguruar mjaftueshëm vaksina, duke nënvlerësuar situatën e pandemisë dhe hedhur poshtë masat e distancimit social. Brazili ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve, pas Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë që infeksioni në veri po ngadalësohet, Brazili po përballet me fazën më të keqe të epidemisë, me spitalet që ndodhen pranë kolapsit. Ministria e Shëndetësisë, regjistroi 75,102 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, që është numri më i lartë që prej Korrikut dhe i dyti më i lartë në historik. Vdekjet qëndronin në 1,699, në rënie nga 2 ditët rekord të mëparshme.
Rritja e rasteve ka sjellë masa të reja të karantinës në kryeqytetin Brasilia, si dhe në qytetin më të madh Sao Paulo. Qyteti turistik Rio de Janiero, lajmëroi shtetrrethim dhe mbyllje të lokaleve më herët. Qeveria federale është treguar e ngadaltë në blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, me më pak se 3.5% të popullsisë që ka marrë një vaksinë. Qeveria po përpiqet të sigurojë doza shtesë nga disa furnitorë. Ministria e Shëndetësisë po negocion blerjen e 2 milionë dozave shtesë nga Pfizer deri në Maj, 16.9 milionë doza të Janssen deri në Shtator dhe 63 milionë doza të Moderna deri në Janar 2022, sipas dokumenteve të publikuara.
Shqetësuese për autoritetet është shfaqja e variantit të ri të koronavirusit nga rajoni i Amazonës, që duket më i ngjitshëm dhe mund të riinfektojë ata që e kanë kaluar. Guvernatorët shtetërorë dhe mjekët janë ankuar ndaj qeverisë federale që ka keqmanaxhuar krizën e koronavirusit, ndërkohë që Bolsonaro ka nënvlerësuar situtatën dhe kundërshtuar karantinën.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.