Vdekjet nga virusi kalojnë 1,000 – Kompanitë nisin largimet nga puna. I duhen kredi për të mbijetuar
Koronavirusi kinez mund të arrijë së shpejti një pikë të kthesës, sipas ekspertëve, ndërkohë që numri i vdekjeve kaloi 1,000 dhe rriti shqetësimet mbi ndërprerjet ekonomike në vend. Kompanitë hasën vështirësi në rinisjen e punës ditën e Hënë, ndërsa qindra firma të tjera kineze deklaruan se i duhen kredi deri në miliarda dollarë, për të vazhduar operimin. Kompanitë nisën gjithashtu pushimet nga puna, pavarësisht sigurimeve nga presidenti Xi Jinping se kjo gjë nuk do të ndodhë.
Këshilltari i lartë mjekësor i Qeverisë, Zhong Nanshan, dha pak shpresa duke thënë se epidemia mund të arrijë kulmin në muajin Shkurt. “Kulmi i epidemisë mund të arrihet në mes apo në fund të këtij muaji”, tha Zhong, që është bërë i famshëm në luftën kundër SARS në vitin 2003. Sipas tij, numri i rasteve të reja ka nisur rënien në disa provinca. Komisioni i Shëndetit deklaroi se 108 persona kanë vdekur ditën e Martë, duke shënuar një rekord të ri ditor dhe çuar numrin total të personave të vdekur në Kinë në 1,016.
Vetëm 5 vdekje kanë ndodhur jashtë provincës Hubei, duke reflektuar efektivitetin e masave të ndërmarra. Numri total i të infektuarve u rrit në 42,640, por rritja u ngadalësua nga dita e kaluar. Në frontin ekonomik, mbi 300 kompani kineze, përfshirë këto gjigantin Xiaomi, po kërkojnë kredi bankare në një total prej 8.2 miliardë dollarë për t’i bërë ballë ndërprerjeve të shkaktuara nga bllokimi i qyteteve, mbyllja e fabrikave dhe pengimi i linjave të furnizimit. Firma kineze Xinchao Media, raportoi se ka pushuar 500 persona, apo 10% të fuqisë punëtore, ndërsa zinxhiri i restoranteve, Xibei, deklaroi se nuk ka aftësi për të paguar 20,000 punëtorë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.