Veliaj në Lozanë – “Tirana si qendër rajonale e Ballkanit për sportin”

Bashkia e Tiranës synon ta kthejë kryeqytetin në qendër rajonale të Ballkanit. Kështu është shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë takimit me homologun e tij të Lozanës. Veliaj zhvilloi një vizitë dy ditore në këtë qytet, i cili njihet si qendra botërore e komitetit olimpik dhe 55 federatave botërore të sportit, me qëllim rritjen e shkëmbimit të eksperiencave dhe mundësive të bashkëpunimit midis dy qyteteve.
“Duam ta kthejmë Tiranën në një qendër rajonale të Ballkanit, ku shumë prej korporatave dhe institucioneve ndërkombëtare të sjellin selitë e tyre. Më vjen mirë që kemi hedhur disa hapa konkrete në bashkëpunimin me qytetin e Lozanës sepse duam të mësojmë nga më të mirët, sidomos në fushën e aktiviteteve sportive”, tha Veliaj.
“Jam i kënaqur dhe është një nder që mikprita Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Tirana është një qytet i bukur, e kam vizituar edhe më parë. Për Luzanën është një kënaqësi për të rritur bashkëpunimin me vendin dhe qytetin tuaj, sepse shqiptarët janë një nga komunitetet më të rëndësishme, jo vetëm në Zvicër, por edhe këtu në Luzanë. Mezi pres të zhvillojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në sport dhe në çështjet kulturore”, tha Grégoire Junod, Kryetari i Bashkisë së Lozanës.
Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Lozanë, kreu i Bashkisë së Tiranës zhvilloi edhe një takim me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton atje, si dhe me përfaqësues të politikës dhe të komunitetit të biznesit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.