Veliaj për projektet e reja të Tiranës: “Do vazhdojë zgjatimi i Lanës. Zonë ekonomike në Kashar me 5 mijë vende pune”
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka prezantuar përpara Këshillit Bashkiak buxhetin afatmesëm të kryeqyteti për vitet 2021-2023, në të cilat ka theksuar fushat kryesore ku do të fokusohet institucioni për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të qytetit.
Një tjetër zë i rëndësishëm në Buxhetin e këtyre viteve do të jetë rinia dhe ideja e Tiranës që funksionon në qendra policentrike, pra lagje që ofrojnë akses universal në shërbime në një perimetër prej 15 minutash të ecuri në këmbë:
“Kemi një buxhet të fokusuar shumë tek rinia. Karta e Studentit është anëtarësuar te Karta e Rinisë Europiane dhe së shpejti do të aksesojë skonto në të gjitha vendet e BE.
Shumë shpejt do hapim qendrën e Këshillimit, zyrën elegante të studentëve te “7 Xhuxhat” dhe do jetë me fokus për Këshillim Karierre. Do fokusohemi të ndërtojmë Biblioteka të reja. E radhës do jetë ajo në emër të Moikom Zeqos te Pazari i Ri.
Do të rrisim praktikat e studentëve në Bashkinë e Tiranës. Kalojmë nga 300 praktika të paguara në 1000 të tilla. Duam të jemi të parët që e japim si shembull, duam të vazhdojmë të jemi një skuadër avangard që të fusim konceptin e praktikave me pagesë.
Do të miratohen 850 kredi të buta për familjet që duan të blejnë shtëpi. Duam të japim një shans të barabartë për tja dalë në Tiranë, ashtu si shumë prej nesh kanë ëndërruar.
Në Buxhet kemi parashikuar edhe idenë për të bërë bëjmë poliqendra funksionale. Për këtë duhet edhe infrastruktura mbështetëse. Kinemaja e re në Laprakë dhe disa shembuj të tjerë, të kenë infrastrukturë mbështetëse. Investimet që kemi filluar te 5 Maji dhe në Kombinat do jenë pjesë e këtij plani.
Më tej z.Veliaj është ndalur edhe te bashkëpunimet që do të kenë me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimin e zonave strategjike në kryeqytet. Disa prej tyre janë reforma në ujësjellës dhe zgjatimi i Lumit Lana. Më tej po parashikohet edhe një projekt i madh, një zonë e re ekonomike në Kashar që pritet të hapë deri në 7 mijë vende pune si dhe ndërtimi i tregut të shumicës për Luginën e Erzenit:
“Banka Europiane e Investimeve do ketë një kontribut prej 80 mln euro për ujësjellës kanalizimet e Tiranës, gjë që do të shkojë për të gjithë reformën që kemi kryer në ujësjellës.
Një projekt tjetër është zgjerimi i lumit Lana me BERZH, ky nga presidenti i Republiëks përfshihet në Bashkinë e Tiranës. Jo vetëm që do vazhdojë zgjatimi i Lanës, do ketë shpronësim, do ketë strehim në pallate të veçanta, asnjë njeri nuk do ngelet pas dhe çdo njeri që abuzon me raste të tilla për interesa politike, nuk do të na pengojë, ju garantojmë që do vazhdojmë përpara.
Do shikoni në këtë buxhet bashkëpunimin e Shqipërisë me Gjermaninë, të cilët do të jenë aletatët tanë të mobilitetit dhe të transportit të qëndrueshëm.
Dy lajmet e fundit për këtë buxhet. Kemi marrë statusin si operator ekonomik për një territor të madh në Kashar, në pronësi të Bashkisë së Tiranë që do të kthehet në një zonë për zhvillim ekonomik ku do të ndërtohen fabrika. Është një projekt 201 milionë euro dhe parashikojmë hapjen e 5-7 mijë vendeve të punës.
Lajmi i fundit për pjesën rurale të Tiranës parashikojmë ndërtimin e tregut të shumicës në afërsi të Mulletit dhe Farkës. E gjithë ajo arteria, pra lugina e Erzenit, një nga zonat më pjellore, që të kontribuojmë në ekonominë lokale nga fshatrat e Tiranës nuk po mbushim vetëm tavolinë por po kontribuojmë në jetën e atyre banorëve. Janë jo vetëm më të mira por edhe më të dëshiruara. “
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.