Veliaj pret homologun e Roterdamit – Palët angazhohen për bashkëpunim mes dy qyteteve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim kryetarin e Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, vizitë të cilën e vlerësoi si një gur themeli në marrëdhëniet mes dy qyteteve. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se vizita e Aboutaleb është shenjë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe e një marrëdhënieje të re mes Tiranës dhe Roterdamit.
“Kemi një grup të madh kompanish arkitekturore që bëjnë punë fantastike në qytetin e Tiranës, por besoj se kemi ende shumë për të mësuar në çështje të urbanistikës. Me ambasadën e Holandës kemi filluar rrjetin tonë të biçikletave, kemi gjithashtu shumë për të mësuar nga Roterdami dhe besoj që sot është fillimi i një marrëdhënie speciale me Bashkinë e Roterdamit”.
Kryetari i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në një periudhë kaq të shkurtër. Ai theksoi se nëse Roterdamit i janë dashur 75 vite për t’u rindërtuar, Tirana me një buxhet disa herë më të vogël, po ecën me ritme të shpejta drejt zhvillimit.
“Është fantastike të jesh këtu. Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe kur avioni po ulej në Tiranë, pashë një vendi me gjeografi shumë të bukur, me male, kodra, toka të sheshta, fermerë. Qyteti është transformuar tërësisht vitet e fundit. Qendra e qytetit të Roterdamit ishte shkatërruar plotësisht, na u deshën 75 vjet ta rindërtonim qytetin. Ju e rindërtuat demokracinë në 25 vjet.
Më pas, kryebashkiakët zhvilluan një vizitë në sheshin “Skënderbej”, te Pazari i Ri dhe në muzeun “Bunk’Art”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.