Vende të lira pune në Hipoteka – Gjonaj: Reforma ka nisur, hapet konkursi për drejtuesit e rinj

Nis reforma në hipoteka. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një deklaratë për mediat, ka theksuar se, përmirësimi i këtij shërbimi si dhe zhdukja e çdo rasti korruptiv, përfshihen në planin e veprimit 100 ditor të qeverisë.
“Ministria e Drejtësisë sot shpalli publikisht konkursin për 26 pozicione vakante për drejtues të zyrave të hipotekave në rrethet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Lezhë, Skrapar, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Bulqizë, Devoll, Fier, Kolonjë, Kurbin, Kuçovë, Mallakastër, Mat, Mirditë, Përmet e Pogradec”.
Gjonaj ftoi të gjithë specialistët të bëhen pjesë e konkursit, duke siguruar një proces të hapur dhe transparent.
“Në të njëjtën mënyrë reformimi në rekrutimin e stafit drejtues do të vijojë në ditët e ardhshme edhe për drejtuesit e sistemit të burgjeve, pastaj të shtrihet në të gjithë stafin. Ftojmë dhe motivojmë të gjithë qytetarët që vlerësojnë se përmbushin kriteret ligjore për këto pozicione të dërgojnë aplikimet e tyre në adresën elektronike dhe postare dhe të bëhen pjesë e kësaj reformë që sapo ka nisur”.
Hipotekat dhe burgjet kanë qenë në krye të akuzave për korrupsion, edhe nga vetë kryeministri, Edi Rama. Që në ditët e para të mandatit të dytë qeverisës, kryeministri paralajmëroi shkarkime në radhët e drejtorëve, por jo vetëm, për të shmangur shërbimin e dobët dhe zhdukjen e çdo rasti korruptiv.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.