Vendi më i shëndetshëm, Indeksi i Bloomberg: Kryeson Italia, Shqipëria e 50-ta
Italia është renditur si vendi më i shëndetshëm në botë, në indeksin global mbi shëndetin të agjencisë mediatike Bloomberg, që merr në studim të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Banka Botërorë për 163 vende.
Një foshnje e lindur në Itali pritet të jetojë sipër 80 viteve. Për krahasim, 4,500 km në jug të vendit, apo në Sierra Leone, jetëgjatësia mesatare është në 52 vite. Thuajse 40% e të rinjve në Itali janë të papunë dhe vendi ka një nga barrat më të mëdha të borxhit në botë në raport me përmasat e ekonomisë.
Megjithatë, italianët janë më në formë se amerikanët, kanadezët dhe britanikët, që kanë tension gjaku më të lartë, nivel më të lartë kolesteroli dhe shëndet më të brishtë mendor.
Analistët ia atribuojnë këtë performancë, aksesit në produkte të pasura ushqimore. Çdo vend në indeksin e Bloomberg është vlerësuar në bazë të ndryshoreve si jetëgjatësia, shkaqet e vekjes dhe rreziqet ndaj shëndetit që variojnë nga tensioni i lartë, konsumi i duhanit, kequshqimi e aksesi në ujëra të pijshëm.
Islanda, Zvicra, Singapori dhe Australia formojnë pesëshen e parë të vendeve më të shëndetshme. Bota e zhvilluar nuk vjen pa rreziqe, dhe obeziteti është një ndër këto, thekson Bloomberg.
Për rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara janë renditur në vend të 34-t, me një vlerësim prej 73.05 pikësh nga 100 që është totali. Në listën e 50 vendeve kryesore të Bloomberg, është renditur edhe Shqipëria duke zënë vendin e fundit me 62.01 pikë nga 100.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.