Vendimet e Konkurrencës – Raporti 2016, nga 52 vendime asnjë penalitet

Edhe pse në vite janë marrë vendime të ndryshme nga Autoriteti i Konkurrencës, ato nuk kanë gjetur zbatim apo ekzekutim të tyre. Shumë prej këtyre vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës enden për vite gjykatave dhe masat ndëshkuese të ndërmarra nga ky autoritet qëndrojnë pezull.
Sipas raportit vjetor të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2016, nga ky institucion janë marrë gjithsej 52 vendime për çështje të ndryshme, nga të cilat 21 vendime ishin objekt çështjesh gjyqësore, ndërsa bie në sy që gjatë gjithë vitit nuk është vendosur asnjë penalitet.
Sipas këtij raporti, 12 janë përqendrime, 5 vendime janë për abuzime me pozitën dominuese, 7 për marrëveshje të ndaluara, 4 vendime janë për përjashtime nga marrëveshjet, 12 vendime janë rekomandime për institucione publike.
Në 10 vitet e fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba totale për një vlerë rreth 10 milionë euro, por vetëm rreth një e katërta e tyre janë arkëtuar. Arsyeja kryesore është shfuqizimi i vendimeve nga gjykatat ose zvarritja e gjykimit të çështjeve për vite me radhë.
Raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës do të jetë objekt i një seance dëgjimore ditën e hënë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.