Vendimet e qeverisë / Bursa për të prekurit nga tërmeti, rishpërndarje buxheti, kompensim për pronat dhe zgjatje pushimesh për administratën
Qeveria në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë vit ka marrë disa vendime të rëndësishme që prekin qytetarë.
Teksa është miratuar vendimi i amnistisë nga të cilat kategoria më përfituese është ajo e grave të burgosura dhe që tashmë duhet të miratohet në Kuvend, gjithashtu është marrë vendimi për zgjatjen e pushimeve të administratës publike, përfitimin e bursës nga nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, që humbën anëtarë të familjes si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit si dhe një rishpërndarje fondesh nga Buxheti.
Plot 300 milionë lekë do t’i kalojnë Ministrisë së Shëndetësisë, duke i hequr këto fonde nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Gjithashtu qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale në zonat Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 1, Vlorë, Fier dhe Zonat e Stimuluara.
Këshilli i Ministrave gjithashtu ka miratuar emërimin e drejtorit të ri të Cirkut Kombëtar. Ai do të jetë Ilirjan Gjini, që zë vendin e Saimir Çilit.
Më poshtë vendimet e qeverisë:
Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar edhe një tjetër vendim për të prekurit nga tërmeti. Sipas vendimit, nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, anëtarë të familjes së personave që kanë humbur jetën ose janë shpallur të zhdukur në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019 përfitojnë bursë në masën 15 000 lekë në muaj.
Më tej është vendimi, i cili i përket shpërndarjes së fondeve nga qeveria me 300 milionë lekë të cilat i kalojnë Ministrisë së Shëndetësisë për programin e “Sigurimeve Shoqërore”:
- V E N D I M
PËR
NJË RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2019, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në buxhetin e miratuar për vitin 2019 të bëhet rishpërndarja e fondeve, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si më poshtë vijon:
- a) Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë t’i pakësohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh në programin buxhetor “Sigurimi shoqëror”, të buxhetit të shtetit, për shpenzime korrente, në artikullin 604, “Transfertë nga buxheti i shtetit në buxhetin Institutit të Sigurimeve Shoqërore”;
- b) Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale t’i shtohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh në programin buxhetor “Përkujdesi social”, për shpenzime korrente, në artikullin 606, “Transfertë për buxhetet familjare dhe individët”.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
- KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 1, Vlorë, Fier dhe Zonat e Stimuluara.
- Masa e kompensimit është 45 991,2 (dyzet e pesë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një presje dy) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 484 740 576,16 (katërqind e tetëdhjetë e katër milionë e shtatëqind e dyzet mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë presje gjashtëmbëdhjetë) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E DITËS SË PREMTE, DATË 3.1.2020, DITË PUSHIMI
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Caktimin e ditës së premte, datë 3.1.2020, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
- Dita e punës e datës 3.1.2020 do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda muajit janar.
- Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
- V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TЁ CIRKUT KOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ilirjan Gjini emërohet drejtor i Cirkut Kombëtar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.