Vendimet e qeverisë/ Ibrahimaj: Miratohet mbrojtja e konsumatorit në fushën e tregtisë elektronike

Gjatë një fjalimi të mbajtur sot nga ministrja e Financa në lidhje me vendimet e reja të qeverisë, Delina Ibrahimaj ka folur për ‘Mbrojtjen e konsumatorit në fushën e tregtisë elektronike’
“Ka patur shumë zhvillimi gjatë viteve të fundit në digjitalizim, investime në këtë fushë në sektorë të ndryshëm të qeverisë dhe sidomos në sektorët e shërbimeve”, u shpreh Ibrahimaj.
“Vendimi që kaluam sot ka të bëjë me tregtinë elektronike, me tregtinë online. Gjatë periudhës së pandemisë kemi patur një rritje të fluksit të kësaj kategorie tregtie dhe pas pandemisë duket që konsumatorët janë mësuar me këtë formë tregtie dhe kanë vijuar ta përdorin pasi jep akses jo vetëm në tregjet kombëtare por edhe në tregjet ndërkombëtare” tha ministrja.
“Vendimi që kaluam sot ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit, me disa saktësime me elementët që duhet të kenë kontratat e këtij lloji tregtimi me qëllim që konsumatori blen një produkt, një shërbim online ose me telefon të jetë i mbrojtur. Ka të bëjë me periudhën e kthimit të mallrave e cila konsumatori ka 14 ditë kohë ta kthej mbrapsht këtë produkt nga dita e blerjes”, shtoi ajo.
“Gjithashtu ka të bëjë edhe me shërbimet e pagesave, vitin e kaluar ka pasur një ndryshim në ligjin e pagesave dhe nëpërmjet këtij projektvendimi saktësohet dhe ka një siguri më të lartë në shërbimin e pagesave të konsumatorit. Qeveria Shqiptare është e dedikuar në mbrojtjen e konsumatorit në të gjithë fushat e tij ndaj ofrimit të shërbimeve sa më cilësore, si nga shërbimet e ofruara nga vetë qeveri ashtu edhe nga shërbimet e ofruara ndaj privatëve pasi qëllimi jonë kryesor është që blerjet të jenë të sigurta dhe konsumatori të jetë i sigurtë”, përfundoi ministrja
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.