Vendimet për Konkurrencën zvarriten me vite në gjykata. 21 çështje vitin e kaluar

Vendimet e Autoritetit të Konkurrencës enden për vite gjykatave dhe masat ndëshkuese të ndërmarra nga ky autoritet qëndrojnë pezull. Sipas raportit vjetor të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2016, 21 vendime ishin objekt çështjesh gjyqësore gjatë vitit të kaluar.
Këtu përfshihen edhe vendime të marra 12 vjet më parë, siç është rasti gjobës ndaj kompanisë AMC, sot Telekom Albania, për abuzim me pozitën dominuese. Ky vendim është marrë që në vitin 2005 e megjithatë, ende sot e kësaj dite, nuk është arkëtuar, sepse gjykimi vazhdon.
Vendimi për gjobë ndaj AMC është një nga çështjet që po shqyrtohen në Gjykatën e Lartë, pasi palët kanë bërë rekurs pas shkallës së dytë të gjykimit. Në shumicën e rasteve, rekursi është bërë nga vetë Autoriteti i Konkurrencës, pasi gjykimi i shkallës së parë ose të dytë i kishte dhënë të drejtë shoqërive tregtare, që kishin kërkuar shfuqizime të vendimeve të Autoritetit.
Veç çështjeve të çuara për rekurs në Gjykatën e Lartë, vitin e kaluar 10 vendime të tjera kanë qenë objekt gjykimi në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe të dytë. Në 10 vitet e fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba totale për një vlerë rreth 10 milionë euro, por vetëm rreth një e katërta e tyre janë arkëtuar.
Arsyeja kryesore është shfuqizimi i vendimeve nga gjykatat ose zvarritja e gjykimit të çështjeve për vite me radhë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.