Vendimi i Bankës së Anglisë – Lë normën e interesit të pandryshuar, mirëpret bisedimet për Brexit
Bisedimet e javës së kaluar për Brexit kanë reduktuar rrezikun e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian në një mënyrë kaotike dhe mund të nxisë besimin ekonomik, deklaroi Banka e Anglisë në takimin e fundit të politikave monetare.
Politikëbërësit e bankës votuan në mënyrë unanime për të mbajtur normën e interesit në 0.5% si ç’pritej, një muaj pas rritjes së parë në 1 dekadë.
Të dhënat e brendshme mbi ekonominë tregojnë shenja të ngadalësimit në fund të këtij viti, megjithatë sipas bankës, buxheti i prezantuar nga Philip Hammond në muajin Nëntor do të nxisë rritjen ekonomike dhe bisedimet për Brexit po bëjnë gjithashtu progres.
Kryeministrja Theresa May arriti një marrëveshje me Komisionin javën e kaluar, duke mundësuar kalimin e bisedave në marrëveshjen tregtare.
“Kjo do të reduktojë gjasat e një daljeje të ashpër dhe do të mbështesë besimin e ekonomive familjare dhe korporatave”, deklaroi Banka e Anglisë duke shtuar se do t’i japë konsideratë më të madhe progresit të bisedimeve kur të përditësojë projeksionet ekonomike në muajin Shkurt.
Vendimi i Bankës së Anglisë vjen një ditë pas ndërhyrjes së Rezervës Federale për të tretën herë në këtë vit dhe pak përpara deklaratës së Bankës Qendrore Europiane. Projeksionet e tregjeve qëndronin për një votim 9-0 në favor të mos-ndryshimit të politikave monetare.
Banka deklaroi në muajin e kaluar se ka nisur cikli tejet gradual i tkurrjes monetare, ndërkohë që ekonomia i afrohet gjithnjë e më shumë kapacitetit të plotë.
Inflacioni arriti në nivelin më të lartë në 6 vite gjatë Nëntorit në 3.1% dhe norma e papunësisë qëndron në nivelin më të ulët në 4 dekada.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.