Vendimi/ Krijohet zyrtarisht fondi i sipërmarrjes turistike – 30 mln lekë për bizneset e vogla dhe të mesme, kategoritë që përfitojnë

Publikohet vendimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore për krijimin e fondit të sipërmarrjes turistike. Vendimi, i cili mban firmën e ministres së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, përcakton se fondi total për sipërmarrjen turistike do të jetë 30 milionë lekë për periudhën 2017- 2019, dhe do të shkojë për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (SME-ve), për përmirësimin e klimës dhe kushteve të prodhimit dhe marketimit të produkteve e shërbimeve turistike, duke krijuar bazat për një zhvillim të sektorit të turizmit.
Kështu në këtë vendim që jep autorizimin për dhënien e ndihmës shtetërore për krijimin e fondit të sipërmarrjes turistike thuhet se: “Komisioni i Ndihmës Shtetërore me pjesëmarrjen e: Milva Ekonomi kryetare, Mimoza Dhëmbi anëtare, Ahmet Mançellari anëtar, Petrit Bakiu anëtar, Gramoz Hoxha anëtar, në mbledhjen e tij të radhës të datës 22.6.2017, nëpërmjet Drejtorisë së Tregut të Brendshëm në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), në bazë të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore” të ndryshuar, dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 817, datë 28.12.2005, për miratimin e rregullores “Për procedurat dhe formën e njoftimit”, mori në shqyrtim planin e dhënies së ndihmës shtetërore “Për krijimin e Fondit të Sipërmarrjes Turistike”.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore, në bazë të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar vendosi:
1. Të autorizojë planin e dhënies së ndihmës shtetërore “Për krijimin e Fondit të Sipërmarrjes Turistike”.
2. Çdo plan ndihme, i cili ndryshon masën e ndihmës, lidhur me vlerën, kohëzgjatjen ose kriteret, duhet të njoftohet dhe të marrë miratimin e KNSH-së.
3. Çdo përfitues ndihme duhet të nënshkruajë Deklaratën e Ndihmës De minimis (bashkëlidhur) dhe të dorëzojë një kopje të deklaratës pranë AIDA-s dhe një kopje pranë Komisionit të Ndihmës Shtetërore.
4. AIDA, brenda datës 31 mars të çdo viti, të paraqesë raport për impaktin e ndihmës shtetërore gjatë vitit paraardhës financiar.
5. AIDA të ruajë të gjitha të dhënat për zbatimin e skemës deri në dhjetë vjet, pasi ndihma e fundit individuale të jetë dhënë në kuadër të kësaj skeme.
Përfituesit
Fondi ka për qëllim dhënien e ndihmës financiare në mbështetje të sipërmarrjeve turistike që zhvillojnë veprimtarinë e tyre si struktura akomoduese të llojit bujtinë në zonat rurale, operatorë turistikë, agro-turizëm dhe shërbime kulinare tradicionale të zonës. Sipërmarrjet turistike duhet të jenë ndërmarrje mikro dhe të vogla, që plotësojnë, veçanërisht, kushtet e mëposhtme:
a) Janë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr. 8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar.
b) Kanë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit.
c) Ofrojnë shërbime turistike brenda vendit.
d) Paraqesin një projekt-propozim ose plan biznesi duke demonstruar se aktivitetet e parashikuara për mbështetje nga Fondi i Sipërmarrjes Turistike janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, duke pasur parasysh përdorimin e fondit për një investim afatgjatë.
e) Janë të regjistruara në QKB dhe nuk kanë detyrime tatimore e doganore të papaguara.
f) Operojnë në tregun turistik, jo më pak se 1 vit.
Vlera e ndihmës
Fondi total i ndihmës ka një vlerë të përgjithshme prej 30.000.000 (tridhjetë milionë) lekë, për periudhën 2017- 2019. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i planit të ndihmës përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të AIDA-s.
Në kostot e pranueshme që mund të financohen nga skema përfshihen kostot për:
a) përmirësimin dhe rinovimin e kapaciteteve akomoduese të bujtinave, pajisjeve dhe mobilimeve, bazuar në karakteristikat tradicionale të zonës turistike;
b) përmirësimin e mjediseve e të pajisjeve, në përputhje me trashëgiminë kulturore dhe historike të zonës;
c) përmirësimin e mjediseve e të pajisjeve për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit, në përputhje me standardet e turizmit;
d) certifikimet në përputhje me standardet që zbatohen në sektorin e turizmit.
Forma e ndihmës dhe mjetet e financimit
Ndihma jepet në formën e grantit të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro dhe të vogla që operojnë në sektorin e turizmit. Për çdo ndërmarrje përfituese në varësi të projektit konkurrues të përgatitur nga aplikantët, skema mbulon 60-80% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 1.000.000 (një milion) lekë.
Vlera totale e ndihmës dhënë një ndërmarrjeje nuk i kalon 14.000.000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për një periudhë financiare prej tre vjetësh. Ky kusht plotësohet pasi masa konsiston në dhënien e ndihmës financiare të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro dhe të vogla në vlerën maksimale prej 1.000.000 (një milion) lekë për ndërmarrje.
Ndihma duhet të jepet për një periudhë financiare prej tre vjetësh. Plani i ndihmës parashikohet të fillojë zbatimin në vitin 2017 dhe të zgjasë për një periudhë 3-vjeçare deri në vitin 2019.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.