Vendimi për negociatat – Vlahutin: Shqipëria mori 3 vendime pozitive nga BE
Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin ka shpjeguar në mënyrë më të thjeshtuar vendimin që mori të martën Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së sa i përket hapjes së negociatave. Vlahutin ka theksuar se vendimi ka tre pika pozitive për Shqipërinë.
“Keni pasur mundësinë të shihni vendimin dhe ky është vendimi. Mund të duket pak i ndërlikuar në gjuhën që përdor BE-ja por do të përpiqem ta thjeshtoj e t’ua shpjegoj. Shqipëria ka marrë tre gjëra shumë të rëndësishme pozitive: e para është njohja e rekomandimit, e të gjithë punës dhe reformave që janë bërë dhe kjo është shumë e rëndësishme; e dyta është një kalendar i qartë; dhe ndërkohë Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ka pranuar që Komisioni ka për qëllim të nisë punën përgatitore”, tha Vlahutin.
Sa i përket vendimit që do të merret në qershor të 2019, ambasadorja është shprehur se do të jetë zëvendësuesi i saj që do të japë detaje të mëtejshme sipas kalendarit të punimeve.
“Ky është kalendari dhe në fakt do të dëgjoni më tej për këtë nga ambasadori i ardhshëm, por ky është kalendari. Nuk mund të flas për diçka një vit paraprakisht, por ky është kalendar i qartë”, u shpreh ambasadorja e BE.
Më tej Vlahutin ka kërkuar që Shqipëria të vijojë punën në thellimin e reformave për të mundësuar integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.