Vendimi – Riorganizohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe Bordi i Akreditimit
Qeveria ka miratuar vendimin për riorganizimin e Agjencisë Publike të Arsimit të Lartë (APAAL) në Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL). Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë është institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë, dhe financohet nga buxheti i shtetit e të ardhurat e tjera të ligjshme.
Agjencia do të ketë pavarësi në hartimin dhe miratimin e procedurave, kritereve e formateve të vlerësimit, përzgjedhjen e ekspertëve e të komisioneve të posaçme të vlerësimit si dhe përpilimin e përmbajtjes dhe të rezultateve të raporteve të vlerësimit të cilësisë akademike.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë drejtohet nga drejtori, i cili është titullari i institucionit. Drejtori i Agjencisë emërohet, lirohet/shkarkohet nga detyra me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin, me urdhër të Kryeministrit. Struktura dhe organika e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë miratohet me urdhër të Kryeministrit, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ka si objekt të veprimtarisë:
-vlerësimin e jashtëm të cilësisë për akreditimin e parë dhe periodik të institucioneve të arsimit të lartë e të programeve të studimit që ato ofrojnë;
-monitorimin, vlerësimin e cilësisë akademike e të përputhshmërisë me standardet e cilësisë së institucioneve dhe programeve të ofruara prej tyre, përpara vlerësimit për akreditim të parë dhe në vijim;
-vlerësimin paraprak në kuadër të hapjes dhe/ose riorganizimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin;
-vlerësimin paraprak dhe njohjen e programeve të studimit, të ofruara në institucione shqiptare të akredituara të arsimit të lartë nga institucione të huaja të arsimit të lartë të njërit prej shteteve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Australisë;
-vlerësimin periodik, çdo tre vjet, të cilësisë së mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë dhe monitorimin e vazhdueshëm të saj përmes Sondazhit Kombëtar të Studentëve, në përputhje me udhëzuesit e saj;
-vlerësimin e sistemeve të brendshme të cilësisë (auditimin) në institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me udhëzuesit e saj dhe standardet e udhëzimet për sigurimin e cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë;
-vlerësimet tematike, analitike dhe krahasuese të institucioneve dhe/ose programeve të studimit, në funksion të politikave për arsimin e lartë, në mënyrë autonome ose me kërkesë të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
Për procedurën e vlerësimit, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ngre komisionet e posaçme të vlerësimit, të përbëra nga ekspertë vendas dhe/ose të huaj. Pranë ASCAL-it ngrihet dhe funksionon Bordi i Akreditimit , si organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij. Bordi i Akreditimit ka në përbërje 11 anëtarë, nga të cilët minimalisht 3 dhe maksimalisht 5 duhet të jenë të huaj.
Kryetari dhe anëtarët e këtij bordi duhet të kenë një përvojë të paktën 10-vjeçare në institucione akademike dhe kërkimore, brenda e jashtë vendit, gradë shkencore/titull akademik ose njohje e përvojë të paktën 5-vjeçare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Kryetari dhe anëtarët e bordit duhet gjithashtu të kenë njohje në nivel të avancuar të gjuhës angleze të shkruar dhe të folur.
Mandati i anëtarëve të këtij bordi është 4 vjet dhe Bordi mblidhet jo më pak se 6 (gjashtë) herë në vit.
Bordi i Akreditimit ka këto detyra dhe përgjegjësi:
-Shqyrton raportet përfundimtare të vlerësimit të jashtëm të cilësisë për akreditim të parë dhe periodik, për akreditimin institucional dhe atë të programeve të studimit dhe merr vendimin përfundimtar për akreditimin e tyre.
-Në rastet kur vlerësimi i jashtëm kryhet nga agjenci të huaja, me kërkesë të institucioneve të arsimit të lartë, sipas pikës 3, të nenit 15, të ligjit nr.80/2015, ky bord shqyrton dhe miraton paraprakisht kërkesën e institucionit të arsimit të lartë për kryerjen e vlerësimit përkatës nga agjencia e huaj.
Bordi merr vendim përfundimtar, i cili mund të jetë “pozitiv”, kur përmbushen standardet dhe kriteret përkatëse institucionale apo të programeve ose “negativ”, kur konstatohet një nivel i ulët i cilësisë dhe mosplotësim i standardeve, si dhe pamundësi e institucionit për t’i përmbushur ato.
Bordi ka të drejtë të lëshon certifikatën zyrtare të akreditimit brenda një muaji nga data e marrjes së vendimit. Për marrjen e vendimeve të tij, bordi ndjek Kodin e Procedurave Administrative. Vendimi i bordit është i formës së prerë, përfundimtar dhe i detyruar për t’u zbatuar. Kundër vendimeve të bordit mund të bëhet ankim në rrugë gjyqësore nga pala që ka interes të ligjshëm, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi, për kundërshtimin gjyqësor të akteve administrative.
Kryetari dhe anëtarët e Bordit të Akreditimit emërohen me urdhër të Kryeministrit, brenda 1 (një) muaji nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Këshilli i Akreditimit vijon të funksionojë me përbërjen aktuale deri në krijimin e Bordit të Akreditimit.
Financimi i strukturës
Financimi i ASCAL-it dhe Bordit të Akreditimit realizohet nga buxheti i shtetit, si dhe të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e saj: si tarifat e vlerësimit, të ardhurat nga trajnimet, të ardhurat nga shërbimet e ofruara, të ardhurat nga programe dhe projekte vendase e të huaja, donacione të subjekteve fizike e juridike, vendase e të huaja, si dhe çdo burim tjetër i ligjshëm.
ASCAL-i ka të drejtën e përdorimit të 90 për qind të të ardhurave nga veprimtaria e saj. Të ardhurat e papërdorura gjatë një viti financiar kalojnë në vitin pasardhës. Të ardhurat shërbejnë për pagesat e konsulentëve e të ekspertëve të jashtëm të angazhuar, pagesat dhe shpenzimet e Bordit të Akreditimit, për investime, pagesa dhe shpenzime operative të ASCAL-it, veprimtaritë jashtë vendit, përfshirë anëtarësimin në rrjetet ndërkombëtare. Skema e përdorimit të të ardhurave miratohet nga Ministria e Financave.
Kryetari dhe anëtarët e Bordit të Akreditimit paguhen për çdo pjesëmarrje në mbledhje për jo më shumë se 9 (nëntë) mbledhje për një vit kalendarik. Masa e shpërblimit për çdo mbledhje të jetë, si më poshtë vijon:
- a) Anëtarët vendas, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë;
- b) Anëtarët e huaj, në masën 1 200 (një mijë e dyqind) euro;
Në rastin kur kryetari është vendas, në masën 30% më shumë se anëtarët vendas. Në rastin kur kryetari është i huaj, në masën 30% më shumë se anëtarët e huaj. Kryetarit dhe anëtarëve të huaj të Bordit të Akreditimit u mbulohen shpenzimet e udhëtimit e të akomodimit në Shqipëri për jo më shumë se tre ditë kalendarike për mbledhje.
Kryetarit dhe anëtarëve vendas të Bordit të Akreditimit, me vendbanim jashtë kryeqytetit, u mbulohen shpenzimet e udhëtimit e të akomodimit në Tiranë, për jo më shumë se tre ditë kalendarike për mbledhje. Shpenzimet për veprimtarinë e bordit mbulohen nga të ardhurat e ASCAL-it.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.