Vendorët humbasin nga epidemia – 6-mujori/ Të ardhurat më të ulëta në 4 vitet e fundit
Epidemia e COVID-19 ka shkaktuar goditje në të ardhurat e 61 bashkive në vend, të cilat regjistrohen në nivelin më të ulët në 4 vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për periudhën Janar-Qershor 2020, vendorët mblodhën 10.2 miliardë lekë, apo 3.2 miliardë lekë më pak se fakti i 6 mujorit 2019. Po të shikojmë ndër vite, rezulton se kjo është shifra më e ulët e regjistruar që nga viti 2017, ku të ardhurat ishin afro 10.9 miliardë lekë.
Rënien më të madhe në 4 vite e ka mbledhja e taksave mbi ndërtesat, ku në 6 mujor arrin në rreth 2,5 miliardë, nga 3 miliardë lekë që është mbledhur mesatarisht në të njëjtat periudha të viteve të mëparshme. Ndërsa të ardhurat nga taksat mbi biznesin e vogël kanë pësuar rritje në krahasim me tre vitet e mëparshme, edhe pse shifrat nga këto taksa janë modeste, ku në gjysmën e parë të këtij viti arrijnë 331 milionë lekë.
Nga ana tjetër, taksat lokale kanë një rënie me afro 24 për qind në krahasim me faktin 2019, por që janë mbledhur rreth 7.6 miliardë lekë, shifër që qëndron në nivele të njëjta me atë të viteve 2016-2017. Ndikim në taksat lokale, kanë dhënë shtyrja apo pezullimi i disa detyrimeve për shkak të pandemisë dhe me qëllim lehtësimin e individëve dhe bizneseve.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.