Vendos çadra plazhi pa leje dhe dëmton zonën bregdetare – Policia gjobit me 2 milion lekë subjektin
Strukturat e Policisë Himarë kanë bërë me dije se në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit, gjatë monitorimit të vijës bregdetare kanë konstatuar një subjekt privat në zonën e plazhit të Drymades me shkelje.
Sipas Policisë subjekti privat (plazh) në pronësi të shtetasit A.B., 44 vjeç, ka bërë ndërhyrje të paligjshme ndaj hapësirës bregdetare duke hedhur gurë të mëdhenj, mbeturina dhe inerte, pa leje. Në subjektin në fjalë janë konstatuar edhe 4 çadra diellore personale të vendosura pa leje, nga bashkia.
Në njoftim thuhet se në vijim të këtyre veprimeve, Komisariati i Policisë Himarë ka nisur procedimin penal në ngarkim të 44-vjeçarit për veprat penale “Shpërdorimi i pronës” dhe “Përdorimi i tokës”. Po ashtu, nga ana e IKMT-së, subjekti privat është ndëshkuar me masë administrative – gjobë 2.000.000 lekë për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Për kundërvajtjen, IKMT nisi menjëherë procedurat ligjore duke pezulluar çdo lloj punimi dhe sanksionoi me vendim, subjektin kundërvajtës. Policia e Shtetit u bën thirrje gjithë subjekteve që të tregojnë kujdes maksimal në sjelljen me pronën publike dhe mjedisin e përbashkët”, bën me dije Policia.
Policia e Shtetit bën thirrje se pasojat e shkeljeve ligjore dhe krimeve mjedisore do te jenë te forta për cilindo që i kryen ato si dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 apo Komisariatin Digjital.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.