Vendoset “fati” i lojërave të fatit, shteti merr “frenat”! Efektet e mbylljes së biznesit të basteve dhe kazinove
Teksa pritej të niste zbatimi i ligjit për zhvendosjen e kazinove elektronike jashtë qendrave të banuara dhe respektimit të distancës prej 200 metra midis basteve sportive, qeveria ka marrë një vendim drastik, për ta bërë tamam realitet sloganin e 2013-ës “Fund i marrëzisë”. Nga 1 Janari 2019, vendimi “shkrin” 3 kompani ekzistuese të basteve sportive me rreth 4200 pika në të gjithë territorin e vendit, thuajse në çdo lagje e cep pallati si dhe zhvendosjen pa destinacion të 10 kompanive që ushtrojnë aktivitetin si kazino elektronike. Reforma ka prekur edhe garat me kuaj dhe bastet online, ndërsa disa kategori lojërash fati si kazinotë live, bingot televizive, bingot tradicionale, Lotaria Kombëtare, i kanë shpëtuar këtij vendimi.
Ku do të shkojnë kazinotë elektronike?
Për kazinotë elektronike, zhvendosja në qendrat e pabanuara nuk është një gjë e re, pasi ka qenë parashikuar në ligjin e vitit 2015 dhe ishin të njoftuar se zbatimi do të niste nga 1 Janari 2019. Qeveria nuk e ka ndryshuar ligjin për këtë kategori dhe janë në total 10 kompani që preken, që do duhet të “ngrenë plaçkat” në nisje të vitit të ardhshëm. Kategoria e kazinove elektronike është ajo që kryeson tregun e lojërave të fatit sa i përket xhiros dhe fitimeve, fitime që vetëm për një kompani arrijnë në 1.6 miliardë lekë në vit. Kazinotë elektronike që do preken janë “Imperial”, “VLT Albania”, “Flamingo Albania”, “Adriatik Game”, “Astra Albania”, “Apex”, “Alba Games”, “Top Start”, “Euro Game 2012” dhe “M&M Topuzi.sha”. Vetëm gjatë vitit 2017 këto kompani kanë qarkulluar 12 miliardë lekë xhiro vjetore dhe kanë raportuar rreth 3 miliardë lekë fitime. Një biznes galopant me miliona euro investime, si në pajise për zhvillimin e aktivitetit, ambiente, qira, etj. Por ku do të shkojnë ato? Dy janë rrugët për kazinotë elektronike, në hotelet me 5 yje ku lejohet ky aktivitet ose në subjektet e licencuara si kazino. Aktualisht në vend mungon certifikimi i hoteleve, çka do të thotë që me ligj nuk ka asnjë hotel me 5 yje dhe si rrjedhim kjo është një portë e mbyllur për kazinotë, ndërsa sa i përket kazinove të licencuara, është vetëm “Regency International Casino Tirana” e vendosur tek “Tajvani” në kryeqytet, që nuk mund të “mbledhë” të gjitha kazinotë elektronike. Si dhe bie ndesh me ligjin për largimi e tyre në qendra të pabanuara. Këtë gjë e sqaron edhe Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, z.Niko Lera.
“Unë di që ka një ligj dhe që është miratuar para dy vjetësh, i cili thotë që kazinotë elektronike nuk do të jenë më në qendrat urbane. Ato do të funksionojnë sipas ligjit në ato njësi që nuk hiqen me ligj. Pra të themi, Lotaria Kombëtare do të funksionojë, bingot televizive do të funksionojnë, kazinotë nuk janë mbyllur me ligj. Në këtë kuptim edhe lojërat elektronike mund të jenë pjesë e kazinove që janë të miratuara apo do të miratohen në vijim. Është një strategji për lejimin e kazinove në hotelet me 5 yje apo në resortet turistike, natyrisht që do shfrytëzojnë këto hapësira ligjore, për tu alokuar në këto biznese.” Megjithatë zoti Lera nuk sqaron nëse këto kazino elektronike mund tu bashkëngjiten kazinove sa i përket vendodhjes apo hapësirës ku janë të vendosura. Në kushtet aktuale, logjika është që të zgjerohet biznesi aktual i kazinosë së vetme që funksion, nëse pranon të përfshijë edhe ato elektronike, apo të pritet certifikimi i hoteleve dhe resorteve me 5 yje. Pra, edhe kjo industri “zhduket” deri në pritje për një zgjidhje të dytë.
“Shkrihen” bastet sportive
Tregu i basteve sportive zotërohet nga 3 kompani të fuqishme të cilat janë “Lotto Sport”, “Top Start” dhe “ITSGA”, të cilat kanë rreth 4200 pika në të gjithë vendin, që funksionojnë më së miri për shkak të varësisë së lartë që kanë qytetarët ndaj bixhozit. Xhirot e këtyre kompanive janë në vlera të larta, ku vetëm për vitin 2017, në total kanë qarkulluar 5.76 miliardë lekë. Për këtë kategori, vendimi i qeverisë ka qenë i papritur dhe tejet drastik, për shkak se nga 1 Janari 2019, do të jenë inekzistente. “Aktualisht kemi vetëm një projektligj i zili thotë mbyllen në 31.12.2018”, thotë Niko Lera.
4200 pikat e basteve funksionojnë me NIPT-e sekondare, që sërish njihen si biznese më vete në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Nëse kjo iniciativë zbatohet sikurse është thënë, këtyre subjekteve do tu duhet të çregjistrohen ose të ndryshojnë qëllimin nëse vendosin të rrinë në treg duke u ristrukturuar. Pikat e basteve janë ato që kanë edhe efektet më të këqija sociale për shkak të shtrirjes së tyre dhe për shkak të faktit se mund të luash me sa para të “gjenden në xhep”. Këto pika janë kthyer në shqetësim edhe për grupmoshën e adoleshentëve. Po ashtu, edhe kompania e vetme që mundëson vënien e basteve online, “BastArena” nuk do të funksionojë më nga fillimi i vitit të ardhshëm. Kjo kompani, me emrin tregtar “Universe”, për vitin 2017 e ka deklaruar xhiron vjetore zero dhe fitimin 14.6 milionë lekë.
“Gropa” në buxhet
Iniciatiava e qeverisë nuk do kalojë pa efekte ne buxhetin e shtetit, pasi të ardhurat nga taksimi i lojërave të fatit kanë qenë të majme. Megjithatë, duke vënë në peshore të mirat dhe të këqijat e këtij vendimi të papritur, qeveria ka parashikuar një formë kompensimi për të ardhurat e munguara në buxhet gjatë vitit të ardhshëm dhe në vijim. Dhe në total janë rreth 3.5 miliardë lekë të humbura.
“Ne kemi bërë llogaritë përkatëse të efekteve që burojnë nga mbyllja e disa kategorive të lojërave të fatit. Pra, buxhetin e vitit 2019 e kemi dizenjuar duke marrë në konsideratë edhe këtë faktor. 5 miliardë lekë të ardhura arkëton buxheti i shtetit çdo vit nga taksa e lojërave të fatit, me kategoritë e lojërave që sipas ligjit do të mbyllen dhe kategoritë e lojërave që do të vazhdojnë të jenë në treg, ne kemi llogaritur një efekt negativ diku tek 65%-70%, dhe këtë shumë, rreth 3.5 miliardë lekë ne e kemi parashikuar më pak në vitin 2019 dhe ndërkohë kemi parashikuar edhe burimet e kompensimit të saj, që janë ndryshimet ligjore nga paketa dhe faktorë të tjerë”, shprehet Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave.
Kush janë lojtarët?
Ndërsa ka rikonfirmuar disa here vendosmërinë në dalje publike, për zhvendosjen e kazinove elektronike në hotelet dhe resortet me 5 yje në fshatrat turistikë dhe mbylljen e basteve fizike dhe on line, kryeministri Edi Rama ka dhënë edhe shifra se kush janë lojtarët në këtë industri fitimprurëse me rreth 700 milion euro qarkullim, që “strehon” para nga bota e krimit dhe që sipas tij ka infektuar “shoqërinë”. “68% e lojtarëve aktivë të basteve kanë nisur aktivitetin në moshën 10 vjeç deri në 15 vjeç. Kjo është koha kur fillon formimi i këtyre lojtarëve, 10-15 vjeç. Kjo është arsyeja pse Franca ka ndaluar me ligj çdo sallon bastesh në rrugë. Hapja e një salloni bastesh të çon në Francë në burg 3 vjet” është shprehur Rama. Duke iu referuar një studimi të bërë nga Universiteti i Tiranës në vitin 2016, Rama ka theksuar vetëm 18% e lojtarëve aktivë, apo e atyre që molepsen me këtë ves e nisin aktivitetin në moshën 16 deri në 20 vjeç dhe se ata që përbëjnë të gjithë këtë grup viktimash të kësaj sëmundjeje, faktikisht në 73% të tyre pranojnë përjetimin e një stresi dhe e problemeve nervore. Ndërsa ka nënvizuar edhe efektet negative që ka në shoqëri ky ves.
“Efektet në familje të kësaj sëmundjeje shkojnë deri në konflikte të rënda që përfundojnë me divorce pas implementimit, apo instalimit të dhunës brenda për brenda familjes. 43% e lojtarëve e pranojnë vetë që, pasi janë futur në këtë rrugë, kanë një raport tërësisht të deformuar me familjen dhe jetojnë duke fshehur lekët, duke vjedhur lekë në shtëpi e duke premtuar çdo natë që është hera e fundit e duke e gdhirë të nesërmen me fshehjen e radhës të skedinave”, ka theksuar Rama.
Sa i takon monopolizimit të kësaj industrie, Rama, ende pa u miratuar ligji në Parlament, është shprehur kategorikisht kundër monopolizimit. Ka propozime të ndryshme edhe përsa i përket idesë së një monopoli shtetëror të lojërave të fatit, basteve sportive, por që sot, unë personalisht jam kundër. Megjithatë janë të gjitha të hapura për diskutim”, ka deklaruar Rama. Ndërsa, teksa u diskutua dhe miratua në seancën plenare të datës 25 Tetor, Kryetari i Komisioni të Ekonomisë ka shprehur hapur se gjithë kjo lëvizje ka si qëllim monopolizimin e këtij sektori.
“Ka një përgjegjësi të qartë të marrë me ligj, që ne ia japim shtetit, unë nuk fshihem, edhe si monopol të shtetit. Ashtu siç në Francë, si në Gjermani, si në Itali, si në Suedi, shtete të Bashkimit Europian, të cilat, as nuk kanë turp, as nuk e fshehin qëllimin për ta kontrolluar këtë aktivitet, edhe në këtë formë, si monopol i shtetit”, është shprehur nga foltorja e Parlamentit, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe. E teksa qeveria ka ndërmarrë një reformë drastike në sektorin e lojërave të fatit, Autoriteti i Mbikëqyrjes së këtij sektori është “ngrirë”, për një periudhë të pacaktuar, me qëllim ristrukturimi. Vendimi i marrë nga qeveria më datën 9 Tetor 2018 është botuar në Fletoren Zyrare dhe ka hyrë zyrtarisht në fuqi. Ndërsa ligji ka pësuar ndryshim sa i përket edhe heqjes së reklamave në mediat vizive, efektet e të cilit nisin menjëherë. Ndërsa për pjesën tjetër, ligji nis zbatimin në filli të vitit të ardhshëm, kur dhe do të nisë zerimi i detyrimeve që këto kompani kanë ndaj shtetit.
Efektet në punësim “të diskutueshme”
Masat drastike ndaj kategorive të penalizuara të lojërave të fatit kanë ngjallur më shumë diskutime sa i përket fatit të të punësuarve në këtë sektor dhe nëse është gati tregu për të “mirëpritur” kaq të papunë njëherësh. Megjithatë, vetë Ministria e Financave nuk e sheh “gotën” kaq bosh në këtë drejtim, pasi preferon të marrë në konsideratë aspektin pozitiv të të gjithë vendimit dhe perespektivën e shndërrimit të këtyre bizneseve. Në total janë rreth 5 mijë të papunë që mund të preken, por që edhe ky numër, sipas financave, duhet marrë me rezerva.
“Në të gjithë tregun e lojërave të fatit, bazuar në listëpagesat që ne kemi, janë 7280 të punësuar. Që do të thotë, nga rreth 7 kategori lojërash fati, që ne kemi dhe që përmbledh këtë shifër, ligji heq nga tregu dy kategori. Kemi llogaritur një efekt rreth 4500-5000 të punësuarish në këto adresa sekondare nëse marrim efektin që do të krijonte mbyllja e tyre. Por, duhet të marrim në konsideratë faktin që pjesa më e madhe e këtyre njësive, sidomos këto adresat sekondare të basteve, janë njësi, dyqane, bar buffe, që krahas aktivitetit tjetër kanë edhe atë këndin ku personat e interesuar mund të vënë baste” argumenton Niko Lera.
Sipas tij, duke marrë parasysh faktin që ato janë njësi në zona urbane, në rrugët kryesore të qyteteve, Financat janë të mendimit se ato subjekte nuk do ti ulnin asnjëherë qepena, por do të mbeten bar-buffe siç janë, ose do të ristrukturohen në një formë tjetër biznesi, si shërbime, tregti etj. “Në këtë kuptim, nuk e shoh kaq drastike çështjen e punësimit”, thekson ai.
Ndërsa Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka theksuar se të papunët që do dalin si rezultat i mbylljes së lojërave të fatit, do të trajnohen me detyrim në Qendrat e Formimit Profesional, për të marrë një zanat, por pa menduar këtu se sa nga këta individë nuk e kanë arsimin e duhur dhe se sa individë kanë nevojë reale për kurse. Por çfarë thonë ekspertët e punësimit për këtë situatë?
“7 mijë persona të papunë për vendin tonë janë shumë, duke ditur mundësitë që ka tregu dhe për punësim. Në 1 Janar duhet të krijohen disa herë më shumë kapacitete për kualifikimin personal të këtyre personave, pasi do ti kesh të papunë të gjithë njëherësh. Ne jemi të papërgatitur, ngado që ta kapësh këtë çështje, pasi nuk ka indicie se do të ndryshojë buxheti për çështjet e punësimit” shprehet eksperti i punësimit Kastriot Sulka.
Sipas tij, në një ekonomi tregu ku gjithçka funksionon përmes ofertës dhe kërkesës është e pamundur që të zhvillohet një nismë e tillë dhe bizneset të mbyllen totalisht në të njëjtën kohë.
“Largimi i menjëhershëm nga tregu i këtyre kompanive do të na japë pasojën që 7 mijë veta do të dalin të papunë. Nuk ka asnjë analizim për formimin e këtyre personave që janë të punësuar, ne këtë nuk e kemi të qartë, nuk e di askush” shprehet Sulka.
Ai thekson se nëse qeveria nuk ndërhyn te kërkesa, kompanitë gjithnjë do të kenë ofertat e tyre. “Sa kohë që ka njerëz që e kanë këtë ves, atëherë ata do të gjejnë mënyra për të luajtur,” thotë ai.
“Ushqehet” tregu imobiliar
Nëse vendimi i qeverisë për mbylljen e kazinove elektronike dhe pikave të basteve sportive vihet në zbatim me përpikmëri, një sërë ambientesh do të listohen në tregun imobiliar për shitje apo dhënie me qira. Kjo në ato raste kur pronarët e këtyre pikave nuk do ta ristrukturojnë aktivitetin e tyre. Ekspertja e pasurive të paluajtshme, Ilda Rusi, shpjegon se priten efekte në treg në rritjen e ofertës.
“Unë mendoj që fakti se do të kemi 4 mijë apo 5 mijë ambiente më shumë , do të thotë se do kemi më shumë ofertë për dhënie me qira. Në një farë mënyre, mendoj që llotot dhe deri diku institucionet financiare, e kanë rritur deri diku çmimin artificialisht në disa zona, sidomos në corner, që do të thotë më pak mundësi për bizneset e tjera. Dhe mendoj që do të ketë një riformësim të atyre ambienteve. Në qytetet e mëdha kam përshtypjen që do të zëvendësohen në një hark kohor relativisht më të shkurtër se sa në qytetet e vogla, por normalisht do të ketë një ofertë shumë më të lartë se sa kërkesa normale”, shprehet ajo. Sa i përket çmimeve, ekspertja parashikon zbritje deri në deri në 25%.
“Unë mendoj që çmimet e qirave do të zbresin, sepse me logjikën e tregut, në momentin që kemi një ofertë më të madhe, çmimi do të thotë që do të reduktohet. Do shkojë në nivele ndoshta 20% apo 25%. Janë 4-5 mijë ambiente, le të themi që për momentin kemi një kërkesë, tek 100 apo 120 hapje lokalesh të rinj, diferenca do të thotë që do të jenë ambiente të pashfrytëzueshme, kështu që automatikisht do të kemi një garë ndërmjet pronarëve të ambienteve për dhënie me qira, sepse kërkesa normalisht është propocionalisht më e vogël sesa oferta”, argumenton Ilda Rusi.
Reagojnë “bastet”
Shyti: Preken 15 mijë familje, të zbatohet ligji i vjetër
Si është pritur vendimi i qeverisë tek bizneset që ushtojnë veprimtarinë në këtë sektor? Në një intervistë për “Revistën SCAN”, Kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Artan Shyti shprehet se kjo masë është e paargumentuar dhe cenon jetën e 15 mijë familjeve, ndërsa propozon një rrugë të mesme.
Si është pritur nga kazinotë elektronike dhe kompanitë e basteve vendimi i qeverisë për mbylljen e këtyre dy kategorive të lojërave të fatit?
Është një inciativë e papritur, e pa studiuar, aspak e argumentuar për termat me të cilat është përdorur. Kompanitë e basteve nuk janë organizata kriminale dhe që favorizojnë krimin dhe nuk mund të përdoret si argument, infiltrimi i ndikimit kriminal për të mbyllur bastet, sepse po të ishte si argument i zbatueshëm në të gjithë ekonominë shqiptare, nuk e di cili sektor do të mbetej hapur. Nga ana tjetër, edhe argument i mbylljes së vesit duke mbyllur bastet, është absolutisht i paargumentuar, sepse nuk mbyllet bixhozi, por mbyllen dy nga 7 aktivitetet e lojërave të fatit në Shqipëri, njëra prej tyre janë bastet, të cilat mbyllen në mënyrë selektive, dhe kushdo që kupton dhe analizon këtë vend, e ka të qartë që ndikimi në uljen e vesit është i pajustifikuar në raport me pasojat katastrofike që do ketë në jetën e 15 mijë familjeve në Shqipëri të cilat në mënyrë direkte apo indirekte janë të lidhura me industrinë e lojërave të fatit.
Çfarë do të bëjnë këto kompani pas 1 Janarit 2018?
Kam përshtypjen që i takon shtetit që të analizonte edhe këtë aspekt, siç duhet të analizonte edhe plot aspekte të tjera që lidhen me këtë lëvizje dhe të jepte alternative konkrete se çdo të bëhet për të kompensuar dëmin e mbylljes së njëanshme të licencës kur akoma nuk është ezauruar 20% të vlerës së saj? Ç’do të bëhet me këta 8 mijë të punësuar të cilët përveç se për të jetuar, pagën e kanë përdorur edhe si garanci për të marrë kredi, për të shkolluar fëmijët apo edhe për të krijuar familje? Ç’do të bëhet me rreth 3800 kontrata qiraje të cilat mbyllen në mënyrë të njëanshme dhe kanë një kosto për kompanitë e basteve dhe veçanërisht është shumë e rëndësishme, çfarë do të bëhet dhe si do të eliminohet ndikimi i parave që nga aktiviteti i ligjshëm do të kalojnë në aktivitet të paligjshëm në rritje galopante, sipas përvojave edhe të mëparshme, të kriminalitetit?
Në historinë e njerëzimit, mbyllja e këtyre aktiviteteve ka sjellë paligjshmërinë dhe paligjshmëria është terreni më i përshtatshëm i aktivitetit kriminal. Pra shkurt, jo vetëm që nuk do të mbyllet vesi, por vesi do të bashkëpunojë shumë më fort se deri tani me krimin.
Sugjeroni një rrugë të mesme ku të dyja palët të fitojnë?
Sugjerojmë rrugën e nisur, që ishte ajo e futjes së ligjit në fuqi, e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë hallkave që merren me ushtrimin e aktivitetit, që janë kompanitë e basteve të ligjshme, organet monitoruese ekonomike që është AMLF dhe natyrisht organet e sigurisë që monitorojnë të gjitha aktivitetet që në mënyrë të paligjshme mund të ndikojnë në këtë sektor. Që do të thotë, reduktimin e pikave të basteve qe është e vërtetë që kanë kaluar në shifra të papranueshme për Shqipërinë por që janë të licencuara nga shteti, heqjen e reklamave nga pikat e basteve që askush të mos dallojë se në këto subjekte ushtrohet aktivitet i ligjshëm i basteve, monitorimin i aktivitetit që mos pastrohen para të paligjshme, forcimin e kontrollit që njerëzit nën 21 vjeç të mos luajnë.
Me pak fjalë, propozimi ynë është që të fillojë ligji të funksionojë, të monitorohet zbatimi i tij në mënyrë rigoroze dhe mbi këtë bazë në një kohë të përshtatshme, në një afat të caktuar të shohim se çfarë ndryshimi do sjellë në ato efekte negative që evidentohen, por që të mos çojë në masën drastike të paargumentuar të mbylljes. Në këtë kontekst kompanitë e basteve kanë qenë të hapura, bashkëpunuese, por kanë edhe përgjegjësinë e tyre që kjo gjë mund të bëhej edhe shumë më mirë. Nëse nuk ka funksionuar si sektor, përgjegjësia është e të gjithëve, e kompanive dhe e shtetit, por nëse mbyllen, pasojat në drejtim të biznesit i kanë vetëm kompanitë e basteve.
Nga Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.