“Vendosni kamera sigurie”, Policia letër bizneseve: Afati fundit 28 dhjetori, më pas do të gjobiteni
Bizneset kanë afat deri më datën 28 dhjetor të vendosin kamera sigurie. Policia e Shtetit nëpërmjet një letre drejtuar bizneseve paralajmëron se pas kalimit të këtij afati do të vendosen gjoba, të cilat do të variojnë nga 5 mijë deri në 100 mijë lekë.
Në letrën që u është çuar bizneseve, theksohet se zona përbën rrezik për sigurinë publike, prandaj duhet të vendosin kamera dhe pajisjet e tjera për të ruajtur pamjet filmike, shkruan Shqiptarja.com. Ligji për sigurinë publike parashikon që kamerat e sigurisë të vendosen në çdo biznes privat që vlerësohet me risk nga Policia, që ka më shumë se 50 punonjës, apo bën një xhiro më të madhe se 10 milionë lek në vit. Policia u ka kërkuar karburanteve dhe pikave të këmbimit valutor që të shtojnë kamerat e sigurisë, ndërsa bizneseve të tjera u është kërkuar që të pajisen me këto kamera.
Vet bizneset nuk ishin të informuara për masat shtesë që duhet të merrnin, kur u ka mbërritur letra e Policisë. Uniformat blu do të bëjnë kontrolle tek bizneset duke filluar nga data 29 dhjetor 2017 dhe do t’i pajisë ato me një certifikatë që quhet “vërtetim i sigurisë”. Kush nuk merr certifikatën, atëherë gjobitet. “Gjoba vendoset nga Policia nëse subjekti nuk ka marrë masat shtesë të sigurisë, pas kalimit të afatit prej 30 ditëve nga data e njoftimit për marrjen tyre”, – parashikon ligji i ri për sigurinë publike.
Ligji parashikon që kamerat e sigurisë të vendosen në kopshte e shkolla, por edhe në mjetet e transportit publik si urbanët brenda qytetit dhe autobusët që lëvizin nga një qytet në tjetrin. Edhe për institucionet publike parashikohen gjoba, nëse nuk vendosin kamera sigurie.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.