Venezuela thërret kreditorët – Kërkon ristrukturimin e borxhit, disa investitorë presin falimentimin
Qeveria e Venezuelës ka ftuar kreditorët në një takim në datën 13 Nëntor, pasi lajmëroi planet për të ristrukturuar borxhin prej 60 miliardë dollarësh.
Presidenti, Nicolas Maduro premtoi javën e kaluar për të bërë një pagesë prej 1.2 miliardë dollarë por tha se pagesat e ardhshme do të rifinancohen.
Investitorët patën dyshime, pasi sanksionet e Shteteve të Bashkuara e kanë hequr mundësinë e rifinancimit.
Shumë investitorët e panë lajmërimin si parapërgatitje për dështimin e pagesave, pavarësisht premtimeve nga qeveria për të kundërtën, për shkak se barra e borxhit e ka lënë vendin në mungesë të të mirave bazë, si ushqimi dhe barnat.
Dështimi i pagesave do të krijonte një krizë të borxhit sovran që nuk është parë në Amerikën Latine që prej falimentimit të Argjentinës në vitin 2001, gjë që e përjashtoi vendin nga tregjet financiarë prej vitesh.
Investitorët thonë se komisioni i ri mbi negociatat e borxhit nuk ka gjasa të bëjë progres, pjesërisht sepse drejtohet nga Zv/presidenti, Tareck El Aissami, që është vendosur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara për shkak të dyshimeve për trafikimin e lëndëve narkotike.
Investitorët dyshonin se Maduro do të shkojë drejt falimentimit menjëherë pas autorizimit të pagesave prej më shumë se 2 miliardë dollarë.
Sipas tregjeve, Venezuela nuk do ti bënte këto pagesa nëse pret që do të falimentojë, për shkak se do t’i duhen fondet ndërsa do të përjashtohet nga tregjet financiarë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dha një paralajmërim për Venezuelën gjatë javës për dështimin e ofrimit të të dhënave mbi ekonominë në kohë, dhe i dha 6 muaj që të trajtojë këtë problem.
Edhe pse paralajmërimi i fondit nuk ka lidhje me komentet e fundit të presidentit, shqetësimet e investitorëve mbi ekonominë u shtuan.
Çmimet e obligacioneve qeveritare patën rënie të madhe në sesionin e fundit tregtar të javës që kaloi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.