“Vërtetim i hyrje-daljes nga burgu” – Tashmë dokumenti online në e-Albania
Të gjithë individët të cilët kanë shlyer dënimin me burg, tashmë mund ta tërheqin online vërtetimin e hyrje-daljes nga burgu. Shtetasit mund të pajisen me këtë dokument duke aplikuar online nëpërmjet shërbimit elektronik “Vërtetim i hyrje-daljes nga burgu (dënimi)” në portalin e-Albania.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të ‘e-Albania’, pas dërgimit të aplikimit specialisti i Kartotekës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve marrin në shqyrtim kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues. Këto individë mund ta marrin këtë vërtetim online dhe në mënyrë fizike.
“Ky vërtetim, i nënshkruar elektronikisht, i bashkëngjitet përgjigjes e cila i dërgohet shtetasit me e-mail, si dhe tek “Dokumentet e mia” në seksionin “Hapësira ime” në e-Albania. Nëse vërtetimi është kërkuar edhe në formatin letër, atëherë aplikanti njoftohet se duhet të paraqitet pranë DPB-së për ta tërhequr atë. Në rastin kur aplikimi nuk është i rregullt, shtetasi njoftohet përsëri nga specialisti i kartotekës me anë të e-mail-it për mangësitë e aplikimit.”
Sa i takon dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e vërtetimit përkatës, është i domosdoshëm dokumenti i identifikimit të përdoruesit, që mund të jetë kartë identiteti ose pasaportë biometrike.
Në rastet kur aplikimi bëhet nga vetë shtetasi, sipas njoftimit nuk është i nevojshëm asnjë dokument shtesë. Në të kundërt, atëherë ngarkohet një dokument që vërteton lidhjen familjare me shtetasin për të cilin kërkohet ky vërtetim.
“Hapat e procedurës:
- Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania
- Zgjidhni shërbimin “Vërtetim i hyrje-daljes nga burgu (dënimi)”
- Plotësoni të dhënat e formularit, duke bashkëngjitur dhe dokumentet plotësuese në rast se kërkohen
- Shtypni butonin “Dërgo”
- Sektori Ligjor dhe i Kartotekës bën shqyrtimin e aplikimit dhe të dokumentacionit përkatës
- Nëse aplikimi pranohet, Sektori Ligjor dhe i Kartotekës përpilon vërtetimin, e nënshkruan në mënyrë elektronike dhe e dërgon automatikisht tek hapësira e aplikantit në e-Albania. Ju do të njoftoheni edhe me anë të e-mail-it se dokumenti është gati, të cilin dhe mund ta gjeni më pas tek “Dokumentet e mia” në seksionin “Hapësira ime” në llogarinë tuaj në e-Albania.
- Në rast se e kërkoni dokumentin në hard-copy, dokumenti printohet dhe ju do të njoftoheni me e-mail se vërtetimi juaj është përgatitur dhe mund ta tërhiqni atë pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë.”
Sa i takon afatit kohor, shtetasit mund ta marrin këtë shërbim pa pagesë dhe brenda një periudhe prej 10 ditësh.
G.D/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.