Veset në Shqipëri, të kushtueshme krahasuar me pagat – Ekonomia në hije, 456 milionë dollarë
Shqipëria është një nga vendet ku veset kushtojnë shumë dhe kërkojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për t’u ndjekur. Këtë e shpreh indeksi i fundit i Bloomberg për vendet më të lira për të blerë substanca, alkool dhe cigare.
Shqipëria klasifikohet në pozicionin e 73-të nga 75 vende në total, ku më shtrenjtë veset kushtojnë vetëm në Gana dhe Rusi.
Indeksi mat vlerën e një “shporte vesesh” në raport me pagën mesatare javore të çdo vendi. Shporta e Bloomberg përfshin:
- Një pako me cigare, të njohura dhe të mira
- Një shishe me pije alkoolike, birrë ose verë
- Një gram stimulant të llojit amfetaminë, përfshirë metamfetaminën dhe ekstazinë
- Një gram kanabis, përfshirë hashashin dhe vajin e kanabisit
- Një gram kokainë
- Një gram opioide, përfshirë heroinën dhe opiumin
Në Shqipëri, blerja e këtyre produkteve kushton 161.7 dollarë dhe teksa është një nga çmimet më të lira në indeks, zë gjithashtu një pjesë të madhe të të ardhurave.
Nëse në Luksemburg, që është vendi më i lirë për të pasur një ves, shporta kushton 206 dollarë dhe zë 0.1% të të ardhurave, në Shqipëri shporta zë 1.86% të të ardhurave, pra gati 19 herë më shumë.
Vendet e tjera më të lira për të patur vese janë ishujt Bahamas, Zvicra, Islanda dhe Franca. Sa i takon rajonit, Kroacia renditet në vendin e 51-të, Mali i Zi në të 58-in dhe Maqedonia në të 62-tin.
Indeksi shpreh edhe një tregues për vlerën e ekonomisë në hije, pra sa llogaritet të jetë xhiroja për produktet e ndaluara nga lista. Në Shqipëri, kjo ekonomi kap vlerën e 456.4 milionë dollarëve. Për ta kuptuar më mirë këtë vlerë, e krahasojmë me Gjermaninë ku kjo ekonomi llogaritet vetëm në 412 milionë euro.
Indeksi bazohet mbi të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Raportit Botëror të Drogërave, Bankës Botërore dhe FMN.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.