Vetëprodhim i energjisë – Miratohet udhëzimi për fotovoltaikët, kapaciteti i instaluar deri në 500 kWp

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka firmosur udhëzimin për miratimin e procedurës së lehtësuar të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Balluku gjatë një takimi që zhvilloi me prodhuesit e energjisë së rinovueshme fotovoltaike.
Gjatë takimit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e cilësoi miratimin e këtij akti si një fjalë të mbajtur, i cili vjen pas afro tre muajsh nga interpelanca që prodhuesit e energjisë fotovoltaike zhvilluan në platformën e bashkëqeverisjes, ku ngritën shqetësimin e tyre për mungesën e këtij udhëzimi. Udhëzimi parashikon që një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instaloje një kapacitet total deri në 500 kWp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli teksa theksohet se fuqia e instaluar e impiantit PV për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, për çdo pikë lidhjeje ose/apo konsumator, do të llogaritet mbi bazën e orëve të punës në pik të prodhimit të energjisë elektrike nga ky impiant, por në asnjë rast nuk duhet të kalojë fuqinë e kërkuar.
Gjithashtu, udhëzimi parashikon lehtësim sa i takon procedurave të aplikimit pranë OSHEE-së. Sipas udhëzimit, bilanci dhe faturimi neto, do të bëhen nga OSHEE në baza mujore për secilën pikë matjeje të autorizuar të klientit. Teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor do t’i shitet furnizuesit të shërbimit universal pas miratimit të Metodologjisë të përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar për vetëkonsum nga kjo kategori konsumatorësh.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.