Vetëprodhimi i energjisë, “peng” i skemës së matjes – Kronologjia/ Prej 2 vitesh kërkohet ndryshimi, por qeveria s’ka marrë asnjë masë

Teksa kryeministri Edi Rama ka inkurajuar bizneset dhe konsumatorët familjarë të instalojnë panele diellore për prodhimin e energjisë për nevoja autokonsumatore, skema aktuale e matjes pengon shfrytëzimin e këtyre impianteve në masën 100%. Ndërkohë që, prej kohësh ekspertët e sektorit dhe grupet e interesit kanë kërkuar ndryshimin e saj, por kërkesat nuk janë marrë asnjëherë parasysh nga qeveria.
TV SCAN sjell një kronologji të të gjithë kërkesave publike, si dhe angazhimet e marra nga institucionet, por që deri në tani nuk janë materializuar në akte ligjore. Kështu, lidhja e impianteve të prodhimit të energjisë nga dielli për nevoja autokonsumatore me rrejtin e OSHEE-së u lejua në qershor të vitit 2019. Ndërkohë që, sipas procedurës, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël 500 këp, ndërsa çdo muaj bëhet bilanci midis energjisë së prodhuar dhe asaj të shpenzuar.
Teprica e energjisë së prodhuar, më e madhe se konsumi mujor duhet t’i shitet OSHEE-së , me një çmim që vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë. Por, deri më tani ERE nuk e ka përcaktuar këtë çmim, duke bërë që reduktimi i konsumit të energjisë mund të arrihet deri në masën 60%. Në kushtet e mungesës së këtij çmimi, që prej vitit 2020 është kërkuar që skema e matjes të jetë vjetore dhe jo mujore, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Në shkurt, të vitit 2021, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, tha për TV SCAN se problemi ishte i njohur dhe se po punohej, duke parashikuar ndryshime ligjore, që do të mundësonin netimin vjetor.
Simaku nuk dha afate konkrete, por deklaroi se ndryshimet do të hynin në fuqi shumë shpejt.
Por, një vit pas këtyre deklaratave, nuk ka patur asnjë ndryshim. Ndërkohë që, përmes 1 shkrese me datë 1 nëntor 2021, teksa çmimet në tregjet ndërkombëtare po pësonin rritje të ndjeshme, shoqëritë që operojnë në tregun e energjisë fotovoltaike i kërkuan sërish Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Entit Rregullaotr të Energjisë, të ndërmerrnin një sërë masash, me qëllim stimulimin e vetëprodhimit të energjisë nga dielli.
Kompanitë kërkuan realizimin e 6 pikave dhe njëra prej tyre ishte pikërisht impelmentimi i menjëhershëm i bilancit vjetor të energjisë elektrike të prodhuar nga impiantet fotovolatike për vetëkonsum. E njëjta kërkesë u përsërit edhe në konferecnën për mediat, nga shoqatat e biznesit shqiptar, e mbajtur në datën 25 shkurt 2022, për shkak të çmimeve tejet të larta të energjisë, me të cilat po përballet biznesi, por deri më tani ende nuk ka një vendim, teksa ekspertët thonë se nëse ka vullnet nga ana e institucioneve, miratimi i ndryshimeve mund të bëhet brenda një kohe shumë të shkurtër.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.