Vetëvrasjet, më pak se në Suedi a Danimarkë – Të dhënat e OKB, në Shqipëri 5.6 për 100 mijë banorë, të 140-tët në botë
Norma e vetëvrasjeve në një vend është një indikator që përdoret vazhdimisht nga politikëbërësit për të ilustruar gjendjen e një shoqërie të caktuar e për të ndërmarrë politika të caktuara për të adresuar problematikën. Por jo domosdoshmërish, norma e vetëvrasjeve tregon nivelin e mirëqenies, aspak. Këtë gjë e vërteton edhe rasti i Shqipërisë.
Vendi ynë është ndër ata me normat më të ulëta në vetëvrasjes në nivel global. Jemi në vendin e 140-të ndër 183 shtete. Këtë e thonë të dhënat më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas këtyre të dhënave, mesatarisht vetëvrasjet në Shqipëri janë më të ulëta se në Islandë, Spanjë, Britani e Madhe, Suedi, apo edhe Danimarkë, vendin i cili në shumë klasifikime figuron si vendi më i lumtur në botë. Sipas të dhënave të OKB të bëra publike me rastin e ditës botërore të parandalimit të vetëvrasjes, në Shqipëri norma fiksohet në 5.6 për çdo 100 mijë banorë. Mes femrave dhe meshkujve ndërkohë ka diferencë.
Për meshkujt ngjitet në 7 norma ndërsa për femrat zbret në 4.3. Kjo tendencë, pra me meshkujt që kanë më shumë tendenca vetëvrasëse se femrat, është globale. Në nivel global, vendi me tendencën më të lartë vetëvrasëse është Gyuana, e ndjekur nga Lesotho dhe Rusia, ndërkohë që në vend të fundit janë tre vende fqinje me njëra-tjetrën, tre ishuj të Karaibeve, Bahamas, Antigua dhe Barduba dhe Barbados, me këtë të fundit që regjistron vetëm 0.4 vetëvrasje për 100 mijë banorë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.