Vetting-u i politikanëve në Kuvend – Shoqatat e Bizneseve: Kontrolli i domosdoshëm, por drafti ka vakume
Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit Parlamentar të Ligjeve është zhvilluar seanca e tretë dëgjimore me përfaqësuesit e biznesit lidhur me ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga opozita për të bërë të mundur Vetting-un e politikanëve. Ashtu si dhe dy seancat e para, edhe ajo e së premtes nisi me akuzat e Partisë Demokratike se kalimi i nismës në diskutime të pafundme me grupime të ndryshme ka qëllim zvarritjen dhe shmangien e vetting-ut të politikanëve.
Deputeti Ervin Salianji tha se kërkesa është futur në kalenda greke të pafundme pasi mazhoranca ka frikë nga Vetting-u në politikë, ndërkohë që populli kërkon me çdo kusht zbardhjen e pasurive dhe të lidhjeve të politikanëve me krimin.
Të gjithë përfaqësuesit e biznesit shprehën miratimin për domosdoshmërinë e kontrollit të pasurive e lidhjeve të politikanëve, por disa prej tyre nënvizuan se drafti është i paplotë. Ai nuk jep informacion mbi organet dhe makinzmat përmes të cilëve do të vihet në zbatim, ndërkohë që nuk mungojnë as mundësitë që të ketë abuzime.
Nënkryetarja e Kuvendit Vasislika Hysi, e cila drejtoi seancën dëgjimore bëri me dije se Komisioni i Venecias ka pranuar ta përfshijë në kalendar nismën e PD-së për Vetting-un në Politikë dhe se në muajin dhjetor pritet qëndrimi i tij zyrtar.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.