Vetting-u në Kushtetuese – Seancë publike të enjten për padinë e unioneve të gjyqtarëve

Të enjten paradite Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën e shoqatave të Gjyqtarëve për shfuqizimin e disa neneve të ligjit të Vettingut. Padia e përbashkët e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon shfuqizimin e 25 neneve nga paketa e tre ligjeve kryesore të reformës në drejtësi.
Në shënjestër janë më së shumti nenet të cilat ata i vlerësojnë antikushtetuese, si pamundësia për t’u dorëhequr gjatë kohës që janë në sitën e vettingut, marrja për bazë e opinionit publik në vlerësimin e tyre, deklarimet e dëshmitarëve të drejtësisë si dhe kontaktet me botën e krimit.
Në seancë do paraqesin qëndrimet e tyre Kuvendi, Këshilli i Ministrave, si dhe dy shoqatat e gjyqtarëve që kanë ngritur padinë.
Në fillim të këtij viti Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një padi tjetër të Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë që kundërshtonte ligjin e “Vetting”-ut. Në atë rast Gjykata argumentoi se në padinë e tyre, gjyqtarët nuk paraqitën asnjë prove të re”.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.