Vetting-u në Polici, superpagat – 400 mijë dollarë për komisionerët, rroga deri 1.9 mln lekë në muaj
Ashtu si kolegët e tyre që po kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve, edhe komisionerët që do kryejnë Vetting-un në Polici do trajtohen me paga të majme. Scan ka zbardhur vendimin e Qeverisë ku përcaktohen masa e trajtimit financiar për disa nga organet e vlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Ato janë Bordi i Përzgjedhjes së Anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit; Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit; dhe Sekretariati teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.
Shpërblimi për anëtarët e Bordit të Përzgjedhjes do të jetë në masën 150 000 lekë, dhe do jepet pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe të anëtarëve të sekretariatit teknik përkatës. Paga për anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit do të jetë 190 000 lekë në muaj. Paga për anëtarët e sekretariatit teknik të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit do të jetë 110 000 lekë në muaj.
Për mbulimin e efekteve financiare që rrjedhin nga këto paga, Këshilli i Ministrave ka shtuar në buxhetin e Ministrisë së Brendshme për vitin 2019 fondin prej 42 000 000 milionë lekësh, të cilat përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.