Vetting-u sërish në Kushtetuese – Gjyqtarët: Jo vlerësimeve subjektive. Hysi: Mjaft korrupsionit
Ka zgjatur për rreth katër orë seanca e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e rreth 25 nene të ligjit të Vetting-ut e kërkuar nga Unionet e Gjyqtarëve.
Erion Bani, kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve kërkoi antikushtetueshmërinë e neneve që nuk lejojnë gjyqtarët të dorëhiqen gjatë kohës që janë në sitën e vettingut, marrja për bazë e opinionit publik në vlerësimin e tyre, deklarimet e dëshmitarëve të drejtësisë si dhe kontaktet me botën e krimit. Sipas shoqatave të gjyqtarëve, në të gjithë këta nene ka vend për subjektivizëm, gjë që do të deformonte rezultatet e hetimeve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve që do kalojnë në sitën e vettingut.
Pretendimet e Unioneve të Gjyqtarëve u kundërshtuan nga përfaqësuesit e Kuvendit. Në së pari kërkuan rrëzimin kërkesës së Unioneve të gjyqtarëve me argumentin se nuk sjell asgjë të re në lidhje me një padi të ngjashme të bërë nga Partia Demokratike disa muaj më parë, ndërkohë që disa prej neneve kanë kaluar dy herë në sitën e Komisionit të Venecias.
Më pas, Vasilika Hysi, tha se të gjitha dëshmitë kundër gjyqtarëve, tendencat e lidhjeve të tyre kriminale apo problemet me pastërtinë e figurës, ashtu si çdo vendim i Komisioneve te vettingut mund të kundërshtohet në Kolegjin e Apelit, ose ne Gjykatën e Strasburgut nga ana e vetë gjyqtarëve që ndihen të cenuar. Ajo tha se nuk mund të vijohet më me gjyqtarë të korruptuar e pa integritet në sistemin e drejtësisë.
Por gjatë seancës gjyqësore, kryetari i Gjykatës Kushtetuese zbuloi një kërkesë të bërë në qershor të këtij viti nga përfaqësuesit Socialistë në komisionin e ligjeve për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias që të shprehet për ligjin e vettingut. Kjo kërkesë që u pohua edhe nga nënkryetarja e Parlamentit Vasilika Hysi vjen në një kohë kur Komisioni i Venecias është shprehur për ligjin e Vettingut dhe Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e demokratëve për shpalljen antikushtetues të ligjit. Pasi dëgjoi palët, Gjykata u tërhoq për shqyrtimin e pretendimeve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.