Vetting-u, si të denonconi gjyqtarët e prokurorët – KPK: Ja formulari për publikun. I rëndësishëm për mbledhjen e të dhënave për veprimet korruptive

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se procesi i vettingut ka filluar tashmë, duke realizuar edhe shortimet e para. Megjithatë, pjesëmarrja e publikut do të jetë një kontribut themelor në mbarëvajtjen e procesit të rivlerësimit, një proces jetik për vendin.
Duke u bërë apel qytetarëve të denoncojnë të gjithë faktet ose rrethanat, që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit, KPK ka prezantuar edhe formularin që plotësohet nga publiku.
Siç dallohet edhe nga dokumentet e mëposhtme, formulari është i organizuar në bazë të tri kritereve që do të përdoren për rivlerësimin: vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës, si dhe vlerësimi i aftësive profesionale.
Formulari mund të plotësohet si nga vetë qytetarët, ashtu edhe me ndihmën e institucioneve të vetting-ut, duke u paraqitur pranë zyrave të KPK në rrugën e Kavajës. Bashkë me përshkrimin e detajuar të të dhënave të disponuara, qytetari duhet të bashkangjisë edhe provat, dokumentet ligjor, fotografi, apo të dhëna të tjera që vërtetojnë shkeljen e denoncuar.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kërkon të informojë qytetarët se formularët nuk do të ndikojnë në vendimet e dhëna nga gjykatat.
“Është mjaft e rëndësishme të kuptohet se misioni i KPK nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna lidhur me veprime korruptive të tyre, që kanë ndikuar në vendimmarrje”, shkruan KPK në njoftimin zyrtar.
Për të aksesuar në një kopje të këtij formulari, mund të drejtoheni tek faqja zyrtare e institucionit, kpk.al
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.