“Vetting-u”, zbardhen superpagat – Rreth 6 mijë dollarë në muaj për titullarët e 3 komisioneve

Titullarët e tre organeve kryesore të “Vetting-ut” kanë propozuar paga që arrijnë afërsisht 600 mijë lekë, afërsisht 6 mijë dollar më muaj.
Propozimet janë në proces shqyrtimi dhe pritet të votohen në javët e ardhshme nga Kuvendi. Krerët e tre institucioneve kanë kërkuar paga mujore 200% më të larta se të anëtarëve të Gjykatës së Lartë për shkak të vështirësisë dhe specifikës së aktivitetit të tyre.
Paga mujore bruto e anëtarëve të Gjykatës së Lartë është afërisht 300 mijë lekë në muaj. Në rast se do të miratohej kjo strukturë pagash, krerët e “Vetting-ut” do përfitojnë 900 mijë lekë në muaj, shumë që e zhveshur nga taksat përkthehet në paga neto prej 600 mijë lekësh në muaj.
Ndërkaq Këshilli i Ministrave ka miratuar nivelin bazë të pagës prej 300 mijë lekësh në muaj për titullarët e 3 komisioneve. Në diskutim është tashmë vetëm shtesa 200% e kërkuar nga vetë krerët e komisioneve për shkak të vështirësie së punës.
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste e kundërshtuan këtë kërkesë, me argumentin se paga kaq të larta bien ndesh me logjikën ekonomike të funksionimit të institucioneve shtetërore.
Ndërkohë që kërkesa u mbështet nga përfaqësuesit e opozitës, si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Lorenc Rabeta/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.