Vetting-u, zgjidhen këshilltarët – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kompletohet me staf

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përzgjedhur 16 këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë që do bëjnë kryejnë Vetting-un e gjyqtarëve e prokurorëve. Përmes një njoftimi zyrtar, ky organ bëri me dije se për pozicionin “Këshilltar ligjor” aplikuan 201 kandidatë, prej të cilëve 57 u skualifikuan për mosplotësim të kritereve formale.
U intervistuan 144 kandidatët që plotësonin këto kritere, nga të cilët u përzgjodhën 12 fituesit. Për pozicionin “Këshilltar ekonomik” aplikuan 50 kandidatë, prej të cilëve 13 u skualifikuan për mosplotësim të kritereve formale. U intervistuan 37 kandidatë, nga të cilët u përzgjodhën 4 fituesit. Detyra e këshilltarëve ligjorë dhe ekonomikë është të asistojnë 12 komisionerët e këtij organi në shqyrtimin e pasurive të gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe të performacës së tyre profesionale.
Nga dhjetori i vitit 2017, ky Komision ka nisur shqyrtimin e performacës, lidhjeve të dyshimta dhe pasurive të 57 gjyqtarëve e prokurorëve të parë. Me kompletimin e stafit pritet të bëhen publike edhe rezultatet e parë të vlerësimit, të cilat janë paralajmëruar për javët e para të këtij viti.
L.R/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.