Vettingu në Policinë e Shtetit, Gardë dhe SHÇBA – Ministri Xhafaj firmos urdhrin për përgatitjen e procesit

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka firmosur urdhrin e tij të parë, i cili ka të bëjë me procesin e Vettingun në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së.
Në urdhër përcaktohet ngritja e grupit të punës për përgatitjen e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale. Ky grup do të kryesohet nga zv.ministri i Brendshëm dhe do të asistohet nga misionet e asistencës së BE-së dhe SSBA-së, si edhe ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë.
Ndër detyrat kryesore të punës së këtij grupi përfshihen: analiza e gjendjes aktuale si dhe hartimi e propozimi i një pakete të plotë ligjore, për realizimin e këtij procesi Vettingu, që duhet të dorëzohet brenda këtij fundviti.
Procesit të Vettingut do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e strukturave të përmendura pa përjashtim, në të gjitha nivelet, nga drejtuesi më i lartë deri te specialisti më i thjeshtë.
Ministria e Brendshme e konsideron procesin si një nga prioritetet kryesore, i cili në përfundim të tij do të shërbejë për të rritur besimin e qytetarëve tek të gjitha organet e rendit dhe sigurisë.
Sipas dokumentit të firmosur, parashikohet edhe ngritja e një sekretariati teknik, i cili do të përbëhet nga përfaqësues apo specialistë të një sërë drejtorish.
Për realizimin e detyrave të grupit të punës do të organizohen edhe takime konsultimi me ekspertë, pedagogë të së drejtës dhe ekspertë të shoqërisë civile.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.