Vezët përçajnë Europën – KE thërret ministrat në takim, nuk ka qartësi
Çështja e vezëve të infektuara, në pjesën dërrmuese të vendeve të Europës qendrore po merr përmasa gjithmonë e më serioze. Komisioneri europian i ngarkuar me çështjen e sigurisë ushqimore ka bërë thirrje për një takim të ministrave përgjegjës në 28 vendet e unionit së bashku me autoritetet dhe rregullatorët përkatës për të diskutuar problematikën.
Gjatë ditëve të fundit janë rritur ndjeshëm tensionet mes ministrave të bujqësisë së Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë. Në disa vezë, me origjinë nga Belgjika dhe Holanda, janë gjetur gjurmë të një insekticidi toksik, Fipronil.
Gjermania dhe disa vende të tjera të unionit kanë akuzuar Belgjikën se nuk ka vepruar në kohë, paçka se e ka ditur diçka të tillë. Qeveria belge ndërkohë ka akuzuar autoritetet holandeze, e kështu situata është tensionuar ndjeshëm.
“Të fajësosh të tjerët dhe të shash nuk do të na çojë në asnjë vend, dhe unë dua ta ndaloj këtë”, deklaroi komisioneri europian vytenis Andriukaitis.
Takimi, sipas tij, mund të mbahet brenda fundit të Shtatorit. Miliona vezë janë tërhequr nga supermarketet dhe dyqanet në disa vende europiane.
Gjithsesi, një sërë rregullatorësh europiane kanë ngritur alarmin se vezët e infektuara kanë hyrë tashmë në zinxhirin ushqimor, pra janë përdorur për ëmbëlsira e produkte të tjera.
Deri më tani, autoritetet holandeze kanë marrë masa duke arrestuar dy drejtues të një kompanie që merret me pastrim, e akuzuar se ka shkaktuar infektimin e vezëve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.